Nju Jork, hetim policit për vrasjen e afro-amerikanit

04/12/2014 00:00

Një tjetër vdekje shkakton polemika në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë përgatitet të nisë një hetim mbi shkeljen e të drejtave civile të Eric Garner, afro-amerikani 43-vjeçar i asfiksuar sipas gjasave prej një polici të bardhë njujorkez.

Çeljen e hetimit e njoftoi Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder, pasi juria që dha vendimin mbi çështjen zgjodhi të mos ngrihen akuza mbi efektivin e policisë. Vendimi shkaktoi indinjatë të menjëhershme duke nxjerrë njerëzit në protestë në rrugët e Nju Jorkut, ndërsa aktivistët e të drejtave të njeriut bënë thirrje për një marshim javën e ardhshme në Uashington.

Tensionet në Amerikë rriten kështu sërish, në një kohë kur ende nuk ishte davaritur mirë zemërimi i mosndëshkimit të Darren Wilson-it për vrasjen e adoleshentit me ngjyrë Michael Brown.

43-vjeçari Garner u ndalua më 17 korrik në një rrugë të Nju Jorkut, me dyshimin se po shiste cigare pa pullë. Pati një përplasje me forcat e rendit dhe policët e shtrinë në tokë, ku u përpoqën ta mbanin të palëvizur. Njëri prej tyre, Daniel Pantaleo, e shtrëngon në fyt. Në filmimin e regjistruar me telefon celular, Garneri, i cili vuante nga Astma, dëgjohet të thërrase disa herë: nuk marr dot frymë!

Pas kësaj humb ndienjat e më vonë vdes. Pikërisht fjalët e fundit të 43-vjeçarit kanë përsëritur protestuesit në “Times Square”, një pjesë të të cilëve mbanin në duar pankarta, ku shkruhej: “Jetët e personave me ngjyrë vlejnë sa ato të të tjerëve”. Dhjetra demonstrues të tjerë inskenuan në stacionin e “Grand Central” një “die-in”, duke u shtrirë në tokë e duke u hequr si të vdekur.

Departamenti i Drejtësisë, sipas Holderit, do të verifikojë me kujdes materialet e mbledhura gjatë hetimit policor. Të gjitha jetët duhet të vlerësohen njësoj, pa asnjë përjashtim, deklaroi ai. Barack Obama tha pas vendimit të jurisë se, kur një qytetar i vendit nuk trajtohet si të tjerët në bazë të ligjit, atëherë ka një problem, të cilin është detyra e tij si President që ta zgjidhë.

Top Channel