Veteranët e UÇK-së në protestë për paktin e arsimimit të fëmijëve

04/12/2014 00:00

Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar me orë të tëra para Rektorarit të Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar respektimin e një memorandumi, që u siguron regjistrimin në arsimin e lartë fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës.

Me marrjen e detyrës këtë vit, rektori Ramadan Zejnullahu ka kundërshtuar këtë memorandum mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Prishtinës, i cili garanton regjistrimin e studentëve të kësaj kategorie pa iu nënshtruar provimit pranues, si kriter kryesor për arsimin e lartë.

Një gjë e tillë ka zemëruar shoqatat e dala nga lufta, gjë që e solli situatën deri te protesta apo dhe në përplasje të tensionuara para Rektoratit.

“Nuk kemi menduar se do të diskriminohemi në këtë masë, megjithatë po i përballojmë edhe këto situata, sepse burimi i forcës sonë është gjaku i bashkëluftëtarëve tanë në fushën e nderit. Është për të shprehur keqardhje, për imazhin negativ që u krijua për ne gjatë javës së kaluar”, tha Smaj Elezi, përfaqësues i familjeve të veteranëve të UÇK-së.

Ndërtesa e Rektoratit ishte e rrethuar nga forca policore, të cilave më vonë iu bashkuan edhe dhjetra pjesëtarë të njësisë speciale.

Protestuesit kanë tentuar disa herë të futen brenda objektit të Rektoratit, duke u konfrontuar me forca të policisë, dhe për pasojë tre policë janë lënduar.

Përfaqësues të protestës kanë zhvilluar edhe një takim me rektorin Zejnullahu, nga i cili kanë kërkuar dorëheqjen, mirëpo – sipas tyre – përgjigjia e rektorit ishte se pret një vendim nga kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, dhe se nuk do të japë dorëheqjen.

Protestuesit janë shpërndarë pas orës 19, pasi në Rektorat u takuan me ministrin e Arsimit, Ramë Buja, dhe morën garancinë e tij.

“Në takimin që patëm me rektorin dhe përfaqësuesit e veteranëve, ramë dakord për ta formuar një komision për verifikimin e listave të studentëve”, tha Ramë Buja, ministër Arsimi në largim.

“Në qoftë se rektori nuk reflekton, atëherë do të jemi ditë e natë bashkë për të realizuar këtë të drejtë. Ne e kemi realizuar takimin në mëngjes me rektorin dhe deri sa të realizohen kërkesat tona nuk takohemi më me të. Po them që ne u dakordësuam, që të realizohen të gjitha kërkesat”, tha Xhavit Jashari.

Megjithatë, veteranët premtojnë se do të rikthehen sërish në protesta pas një jave.

Të gjithë në përkrahje të rektorit Zejnullahu

Në përkrahje të rektorit Ramadan Zejnullahu ka dalë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Avokati i Popullit dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Ndërsa ish-zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, sot kryetar i Këshillit të partisë “Nisma për Kosovën”, pranon se gjatë këtyre viteve është ndërhyrë në Universitetin e Prishtinës, jo vetëm nga shoqatat e luftës, por nga individë të fuqishëm të UÇK-së.

“Çdo ndërhyrje për të vazhduar gjendja ekzistuese, apo për të përkeqësuar atë në Universitet, nuk ndihmon asnjë student dhe asnjë kategori, e më së paku ndihmohen ata që kanë kontribuar më shumë për lirinë e Pavarësinë tonë”, tha Krasniqi.

Po ashtu, lëvizja studentore për barazi “Studim-Kritikë-Veprim” shpreh shqetësimin për keqpërdorimin e luftës çlirimtare për qëllime përfitimesh, duke e dëmtuar vetë burimin e rezistencës, Universitetin e Prishtinës. Për më tepër, këto protesta po e zhvlerësojnë edhe vetë protestën, duke e shndërruar atë në një instrument të thjeshtë presioni për të realizuar qëllime klienteliste.

Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka përkrahur vendimin e rektorit. “Kosova kurrë nuk do të harroje sakrificën e veteranëve të UÇK-së dhe qeveria ime ka punuar pandërprerë, që statusi i familjarëve të dëshmorëve dhe veteranëve të jetë i spikatur në shoqërinë tonë. Megjithatë, përkrahim Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe udhëheqësit e tij, në zbatimin e përpiktë të marrëveshjeve dhe standardeve të pranimit të studentëve”, ka shkruar Hashim Thaçi, ditë më parë në rrjetin social Facebook.

Top Channel