Putin paralajmëron rusët: Na presin kohë të vështira

04/12/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar rusët se po vijnë kohë të vështira dhe ka bërë thirrje për vetëbesim, në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar kombit dhe Parlamentit.

Duke u folur të dyja dhomave të Parlamentit në Kremlin, Putin akuzoi qeveritë perëndimore se po përpiqen të ngrenë “një perde të hekurt” përreth Rusisë.

Ai dënoi “cinizmin e pastër” të Perëndimit dhe theksoi se, edhe sikur Krimea të mos ishte aneksuar, Perëndimi do të kishte gjetur një pretekst tjetër për të vendosur sanksione, me qëllim pengimin e ngritjes së Rusisë.

“Armiqtë e djeshëm dëshironin që Rusia të kishte fatin e Jugosllavisë në vitet ’90. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Por kjo nuk ndodhi, sepse ne nuk e lejuam”, deklaroi Putin.

Ai shtoi më tej se Rusia nuk do të hyjë në një garë armatimi, por do të vetëmbrohet dhe nuk shprehu pendesë për aneksimin e gadishullit të Krimesë, duke thënë se ai territor ka një “domethënie të shenjtë” për Rusinë.

Putin insistoi në qëndrimin e tij se “tragjedia” në jug-lindje të Ukrainës provoi se politika e Rusisë ishte e drejtë, por shtoi se Moska do ta respektojë fqinjin e saj njësoj si një vend vëlla.

Presidenti rus, sipas BBC, mbetet shumë popullor. Një sondazh i kësaj jave tregonte se 72 për qind e rusëve mbështesin politikat e tij.

Në fjalimin e tij zoti Putin argumentoi gjithashtu se sanksionet e Perëndimit duhet të shihen si stimuj. “Ne kemi një treg të brendshëm shumë të madh, kemi burime të mëdha dhe njerëz inteligjentë e të aftë. Populli ynë ka treguar forcë kombëtare, patriotizëm dhe vështirësitë me të cilat po përballemi krijojnë mundësi të reja”, tha Putin.

Rusët besohet se kanë eksportuar mbi 100 miliardë dollarë jashtë vendit këtë vit dhe presidenti Putin premtoi një amnesti për këdo që i kthen paratë e tij në vend. Ai tha se poseduesit nuk do të pyeten mbi mënyrën se si i kanë bërë paratë.

Rusia është prekur rëndë nga rënia e çmimeve të naftës dhe nga sanksionet perëndimore të vendosura ndaj ndërhyrjes ruse në krizën në Ukrainën fqinje.

Rubla, dikur simbol i stabilitetit ekonomik nën drejtimin e zotit Putin, pësoi të hënën rënien më të madhe të vlerës që prej vitit 1998.

Ajo ra me thuajse 9 për qind kundrejt dollarit amerikan, para se të merrte disi veten pas një ndërhyrjeje të bankës qendrore. Ndërsa këtë të enjte, ajo shkëmbehej me 52.81 rubla për dollar.

Në vitin e fundit valuta ruse ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit dhe inflacioni pritet të arrijë në 10 për qind në fillim të vitit të ardhshëm.

Gjithashtu, më herët gjatë javës qeveria ruse paralajmëroi se vendi do të bjerë vitin e ardhshëm në reçesion.

Top Channel