Mbështetja e projekteve kulturore

04/12/2014 00:00

Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen në mbështetje të projektpropozimeve artistiko-kulturore për vitin 2015. Thirrje, që u drejtohet personave fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, që kanë në fokus gjini të ndryshme të artit e kulturës.

Projektpropozimet do të pranohen deri në datë 26 dhjetor dhe, ndryshe nga viti i kaluar, sivjet do të ketë një thirrje të vetme. Ministrja Mirela Kumbaro shpjegon arsyet.

“Është shumë e rëndësishme të theksojmë se do të jetë një thirrje e vetme për gjithë vitin 2015 dhe ky do të jetë momenti kur të gjitha energjitë duhen të angazhohen për një përgatitje sa më të mirë të projekteve dhe për administrimin e mirë të tyre. Do të ketë një thirrje për vitin 2015, çka do të na lejojë në radhë të parë të kemi një kalendar të plotë artistik dhe kulturor të të gjithë vitit. Për një menaxhim – dhe kjo është më e rëndësishmja – sa më efikas dhe sa më efektiv të këtij buxheti. Kjo vlen për të dy palët, si për Ministrinë e Kulturës, që të bëjë një organizim sa më të mirë të buxhetit të destinuar për projektet kulturore, si ato të iniciuara nga Ministria edhe ato nga skena e pavarur e kulturës, dhe vetë subjektet – organizata apo shoqata artistike – duhet të dinë që tani se sa parà u duhen, sa të tjera u duhen të ngrejnë nga donatorët, si do t’i menaxhojnë ato në përputhje me të gjitha ligjet e shtetit shqiptar”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Thirrja, udhëzimet, formularët e aplikimit dhe tabelat për kostot financiare të projekteve janë të publikuara online në faqen e Ministrisë së Kulturës.

Top Channel