Mbushen burgjet, 1000 mbi kapacitetin. Fushatë për dënimin alternativ

04/12/2014 00:00

Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, nuk do të ketë amnisti për të
dënuarit. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm, Artur Zoto, pavarësisht se ka
mbipopullim në burgje janë menduar strategji të tjera për të ndikuar në
këtë situatë.

Top Channel: Sa është numri i të dënuarve mbi kapacitetet e burgjeve?

Artur Zoto: Për momentin kemi mbi 1 000 të denuar mbi kapacitetin, por me masat që kemi marrë, me gjithë infrastruktrën që kemi situatën po e menaxhojmë në kushte optimale. Ne kemi strategjinë tonë dhe së fundmi kemi kategorizuar institucionin “Ai Demi”, në një institucion vetëm për gra, kemi krijuar më shumë hapësirë te 313, dhe po mirëmenaxhojmë institucionet e tjera. Mendoj që situata është shumë normale, shumë e qetë. Mendoj që nuk është edhe në orientimin e politikave penale, aplikimi shumë shpejt i amnistive.

Ndërkohë drejtori i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa ka ndërmarrë një fushatë në burgje, në mënyrë që të informojë të dënuarit se kush përfiton prej tyre dënimin alternativ, që do të thotë lënien e qelive përballë një dënimi tjetër me kusht.

“Nga sondazhe gjatë takimeve që kanë patur punonjësit e Shërbimit të Provës, me të burgosur, të dënuar, kemi konstatuar që jo të gjithë kanë informacion përsa i përket masave alternative, ose përsa i përket drejtës së tyre për të kërkuar, për të apikuar për liri me kusht në rastet e plotësimit të kërkesave të ligjit material”, tha drejtori Qafa.

Për këtë arsye drejtuesit e të dyja institucioneve nënshkruan një marrëveshje, nëpërmjet të cilës Shërbimi i Provës lejohet që të shpërndajë një manual informues në burgje, për kategorinë e atyre të dënuarve që plotësojnë kushtet për të lënë qelitë.

Top Channel