Çeçeni sulmohet selia e një medieje lokale, 16 të vdekur, 28 policë të plagosur

04/12/2014 00:00

Disa persona të armatosur sulmuan një ndërtesë në kryeqytetin e rajonit të Çeçenisë, Grozni, këtë të enjte, duke lënë 16 persona të vdekur, përfshi 10 policë, vetëm pak orë përpara se Presidenti Vladimir Putin të angazhohej në një fjalim politik se do të mbronte Rusinë kundër atyre që ai i quajti përpjekje për ta shpërbërë atë.

Udhëheqësi i mbështetur nga Kremlini i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, reagoi në rrjetet sociale se “6 terroristë u asgjësuan”, pasi hapën zjarr ndaj një mjeti patrullimi të policisë, duke vrarë 3 oficerë dhe më pas sulmuan selinë e një mediaje lokale.

Sulmi nga njerëz të armatosur të panjohur nënvizon edhe njëherë situatën e brishtë të sigurisë në Çeçeni, më shumë se një dekadë pasi Putini dërgoi trupat për të shtypur një kryengritje separatiste islamikësh atje.

“Ata rebelë kanë manifestuar edhe njëherë veten e tyre në Çeçeni. Jam i sigurt se të rinjtë lokalë, por edhe trupat lokalë të zbatimit të ligjit do të dinë të përballen me këtë. Le t’i mbështesim ata”, tha Putin gjatë fjalimit të tij në Moskë.

Ai tha se Rusia është e rrethuar nga armiq, të cilët janë angazhuar ta shpërbëjnë atë dhe të shkatërrojnë ekonominë e saj. “Kjo ende nuk ka ndodhur dhe ne nuk do ta lejojmë të ndodhë”.

10 policë u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën në sulmin e së enjtes, bëri të ditur Komiteti Kombëtar Antiterrorizmit në Rusi. Sipas tij oficerët e zbatimit të ligjit vranë disa prej agresorëve.

Një dëshmitar i “Reuters” në Grozni tha se policia ka ngritur postblloqe, duke urdhëruar njërëzit të mos dalin jashtë apo të mos dërgojnë fëmijët në shkolla. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ruse në Moskë tha se një operacion i paspecifikuar është ende në fuqi në Grozni, por nuk dha detaje për çfarë bëhej fjalë.

Agjencia Itar-Tass e Rusisë citoi Kadyrovin të ketë thënë se disa të armatosur mbetën të bllokuar në një shkollë në qendër të qytetit, por ende nuk është thënë ndonjë fjalë nëse ka pengmarrje apo jo. Kadyrov, teksa ndiqte adresimin e Putinit në Kremlin më vonë, tha se të armatosurit u vranë “brenda 15-20 minutash”. “Nuk e prisnim të ndodhte diçka e tillë. Djajtë treguan edhe njëherë forcën e tyre të fundit”, tha ai për reporterët.

Top Channel