Shoqëria civile: Ja prioritetet që duhet të ketë qeveria

04/12/2014 00:00

Organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë publikuar të enjten propozime mbi prioritetet strategjike që sipas tyre duhet t’i ketë qeveria e re e Kosovës në planin e saj qeverisës.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike në bashkëpunim me Institutin GAP kanë prezantuar 102 pika rekomanduese të cilat çojnë në përmbushjen e kritereve të Kosovës për liberalizimin e vizave, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si dhe në zhvillimin ekonomik.

Sipas Dren Dolit, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, qeveria e re e Kosovës duhet të mendojë për krijimin e vendeve të punës, qoftë edhe punësim sezonal, në mënyrë që të ndalet emigrimi.

“Për këtë arsye ne kemi propozuar ndër të tjera që qeveria e Kosovës të fillojë një fushatë informimi për të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë që të emigrojnë jashtë Kosovës, me qëllim që t’u shpjegohet atyre se cilat janë politikat e azilit, cilat janë politikat e emigrimit që BE-ja ka në funksion dhe se kalimi ilegal i kufirit për në vendet e BE-së nënkupton pasoja shumë të mëdha për ata njerëz. Ata do ndalohen për një kohë shumë të gjatë të kthehen apo të hyjnë në ndonjë vend të zonës Schengen”, deklaroi Doli.

Ndërsa përfaqësuesi i Institutit GAP, Agron Demi ka thënë se qeveritë e deritashme në Kosovë kanë hartuar programe abstrakte qeverisëse, pa parametra matës dhe pa strategji afatmesme zhvillimore.

“Ne kemi kërkuar që qeveria e re të krijojë së pari një strategji të punësimit, e cila të ketë objektiva të qartë e që të saktësojë se ku do të punësohen njerëzit. Programet zgjedhore kanë caktuar 50 mijë në bujqësi në katër vitet e ardhshme dhe 4 mijë në kompleksin e Brezovicës. Ne nuk kemi thënë se ku duhet të punësohen njerëzit sepse së pari neve na mungon një strategji e gjithanshme zhvillimore, ndaj dhe kemi kërkuar që qeveria e re, përveç strategjisë së punësimit, të bëjë sa më parë një strategji zhvillimore të gjithanshme ekonomike, e cila do të caktojë kahet e orientimit ekonomik për 10 vitet e ardhme”, deklaroi Demi.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se propozimet e tyre do t’ua përcjellin zyrtarisht partive të koalicionit qeverisës, por edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Top Channel