“Rrjedha e Jugut”, Juncker dhe kryeministri bullgar: Mund të ndërtohet

04/12/2014 00:00

Gazsjellësi “Rrjedha e Jugut” mund të ndërtohet, pavarësisht se Rusia njoftoi anulimin e projektit prej 40 miliardë dollarësh për të dërguar gazin në Bashkimin Europian, bëri të ditur Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, këtë të enjte.

Në fillim të javës, Rusia bëri të ditur se ka braktisur planet për gazsjellësin “Rrjedha e Jugut”, i cili do të anashkalonte Ukrainën, vendin tranzit tradicional për gazin rus drejt vendeve të Europës. Ajo citoi pengesat ligjore të BE-së si shkak i kësaj tërheqjeje.

Disa kombe të BE-së, veçanërisht Bullgaria, e cila është thuajse tërësisht e varur nga gazi i Rusisë dhe mund të ishte një përfituese e mirë nga gazsjellësi që do të ndërtohej përmes territorit të saj, janë mbështetës të fuqishëm të projektit të “Gazprom”-it.

“Sa i përket ‘Rrjedhës së Jugut’, Bashkimi Europian dhe Bullgaria janë duke punuar së bashku për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, të cilat nuk janë të pakapërcyeshme”, tha për reporterët Juncker, pas bisedimeve në Bruksel me kryeministrin bullgar, Boiko Borisov.

Edhe Borisov tha se “Rrjedha e Jugut” mund të ndërtohej, por ra dakord se ky gazsjellës duhej të përmbushte rregullat e BE-së, përfshi legjislacionin e saj i njohur si paketa e tretë energjitike, që kufizon përqindjen e aksioneve të një gazjellësi nga një kompani, nëse kjo kontrollon gjithashtu edhe furnizimin me gaz.

Përpjekje të mëtejshme për të rakorduar projektin me legjislacionin e BE-së do të bëhen të martën e ardhshme, kur ministrat e Energjisë së BE-së do të bisedojnë për këto çështje në Bruksel.

“Shpresoj që të gjitha këto detaje teknike të zgjidhen në këtë takim, përfshi edhe paketën e tretë energjitike”, tha Borisov, i cili shtoi se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar nga Rusia për braktisjen e projektit të “Rrjedhës Jugore”.

Top Channel