Filipinet kërcënohen nga supertajfuni “Hagupit”

04/12/2014 00:00

Pas supertajfunit “Haiyan” të vitit të kaluar, familja e Roge Agujeros u rikthye në tokën buzë detit ku qëndronte dikur shtëpia e tyre, për të parë pasojat katastrofike. “Nuk pamë asgjë, as edhe një shtyllë të vetme”, tha ai.

Stuhia vdekjeprurëse kishte rrënuar ndërtesën ku jetonin më shumë se 12 anëtarë të familjes së tij, por edhe rreth 1 mijë shtëpi të tjera në zonën përreth qytetit Tacloban të Filipineve. Të gjitha rajonet periferike ishin përfshirë nga grumbuj balte dhe mbeturinash. Ndërsa më shumë se 6 mijë vetë mbetën viktima.

Gjatë pjesës më të madhe të këtij viti, kjo familje e shpenzoi kohën në rindërtimin e shtëpisë së tyre, mes dhimbjesh por edhe me leksione të nxjerra nga ajo ngjarje, duke e ngritur shtëpinë me beton tashmë, ndryshe nga shtëpia e drunjtë që kishin pasur. Puna ende nuk ka përfunduar, por në horizont shfaqet një tjetër kërcënim.

Një tjetër superstuhi e fuqishme, “Hagupit”, po afrohet Filipineve në të njëjtën pjesë perëndimore të Oqeanit Paqësor, aty ku goditi edhe “Haiyan”-i 13 muaj më parë. Për banorët e Taclobanit dhe rajonet përqark, paralelet e hequra mes tyre janë tejet shqetësuese.

“Jam më shumë se sa i nervozuar, sepse kam kaluar pasoja të tmerrshme nga ato që solli ‘Yolanda’”, tha 23-vjeçari Agujero, duke iu referuar “Haiyan”-it me emrin në gjuhën e Filipineve. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nëse godet një tjetër supertajfun”.

E megjithatë ende nuk është bërë e ditur qartësisht se nga do të kalojë “Hagupit”-i. Disa pashikues thonë se do të ketë të njëjtën rrugë si “Haiyan”-i, duke u përplasur në rajonet përreth Taclobanit përgjatë fundjavës. Disa të tjerë thonë se tajfuni mund të ashpërsohet së tepërmi përpara se të arrijë tokën, e më pas të drejtohet për nga veriu, apo në brigjet lindore të Filipineve.

Raportimet e fundit thonë se, gjatë së enjtes, supermarketet, bankomatet dhe stacionet e gazit janë bllokuar nga radhët e gjata të njerëzve. Qeveria lokale dhe organizatat e ndihmës së shpejtë po bëjnë përgatitjet e fundit për të vepruar në rast emergjence.

Edhe pse dielli ndriçonte bindshëm në qiejt sipër Taclobanit, askush nuk i beson më tani. Ndërkohë që organizata të ndryshme humanitare kanë nisur edhe evakuimet.

Sa i përket forcës së supertajfunit, raportohet se në oqean ajo po shfaqet tepër e fuqishme, me erëra prej 287 kilometrash në orë, ekuivalente e një stuhie të kategorisë 5, sipas Qendrës së Paralajmërimit të Tajfuneve të ushtrisë amerikane.

Top Channel