Aleatët kundër ISIS, në ministerialin e NATO-s u ftuan edhe ministrat e rajonit

04/12/2014 00:00

Në ditën e dytë të Ministerialit të NATO-s, aleatët u mblodhën në
koalicionin e drejtuar nga SHBA-të kundër grupit terrorist ISIS, ku u
ftuan dhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit.

Top Channel: A pati ndonjë kërkesë specifike përsa i takon kontributit të Shqipërisë, duke patur parasysh faktin se Rinasi po përdoret nga aleatët amerikanë e kanadezë për furnizim karburanti e ushqimor. A kishte ndonjë kërkesë më specifike përveç këtyre?

Ditmir Bushati
: Për momentin Shqipëria është duke kontribuar përmes donacioneve që i janë akorduar edhe Irakut. Çdo gjë është bërë me një plan të qartë rakordimi veprimesh me partnerët tanë strategjik, kryesisht me SHBA-të, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, me Kanadanë. Shqipëria është një nga vendet që ka kontribuar më shumë në këtë proces, si përsa i përket donacioneve me municione në Irak, në dy paketat e saj, ashtu edhe përsa i përket legjislacionit, reformës institucionale dhe punës së lavdërueshme me liderët e komuniteteve fetare për të shpjeguar sa më mirë fenomenin dhe për të penguar me të gjitha format demokratike, ligjore dhe institucionale, që Ballkani apo Shqipëria të përdoret si njê territor për luftëtarët e huaj.

Bosnja dhe Kosova renditen ndër vendet më të rrezikuara në rajon për kthimin e luftëtarëve tê huaj, të ndjekur nga Maqedonia e më pas Shqipêria.

“Kosova aktualisht është një ndër vendet në rajon që dallohet për veprimet e saj në luftën kundër ekstremizmit fetar. Ne gjatë verës kemi arrestuar disa pjesëmarrës të luftrave në Siri e Irak si dhe disa klerikë në Kosovë. Ky fenomen duhet parë më gjerë nga ana politike e sociale. Për mendimin tim egzistojnë struktura dhe grupe në lindjet e mesme, të cilët qëllimisht investojnê në Kosovë, Shqipëri apo vendet e rajonit, për arsye gjeopolitike, gjeostrategjike, dhe shpesh qytetarët e Kosovës,apo Shqipërisë, janë viktima të këtij investimi afatgjatë të grupeve ekstremiste në Lindje të Mesme”, tha Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm i Kosovës.

Top Channel
: Qytetarët e këtyre vendeve, aktualisht, kanë apo jo të drejtë që të hyjnë në Kosovë? Ju i kontrolloni dot hyrjet e tyre pa viza?

Enver Hoxhaj: Asnjë qytetar i zonës Shengen nuk mund të hyjë në Republikën e Kosovës pa marrë vizë nga misionet tona konsullore

Top Channel: Po nga Lindja e Mesme?

Enver Hoxhaj: Kjo vlen edhe për Lindje të Mesme.

Burime konfidenciale të NATO-s rrëfyen për Top Channel se shteti më i ri ballkanik has vështirësi për të kontrolluar prurjet nga Lindja e Mesme, meqënëse nuk ka një regjim vizash në fuqi me të gjitha vendet arabe.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel