Skandal ryshfeti në Itali, kryebashkiaku i Romës urdhëron hetim të kontratave

04/12/2014 00:00

Kryebashkiaku i Romës ka urdhëruar një rishikim të kontratave të qytetit gjatë së enjtes, pasi një hetim i policisë zbuloi një rrjet marrëdhëniesh korrupsioni mes politikanëve dhe kriminelëve në kryeqytetin italian.

Policia arrestoi 37 persona dhe vendosi 12 të tjerë nën hetim gjatë së martës, në atë që konsiderohet si skandali i fundit që godet Italinë e renditur si një nga vendet më të korruptuara në Europë, në indeksin e fundit global mbi korrupsionin të publikuar nga “Transparency International”.

Deri më tani, çështja në fjalë nuk e ka dëmtuar aspak kryeministrin Matteo Renzi, i cili deklaroi se ishte “shokuar” pas zbulimeve të fundit. Por, pas skandaleve të këtij viti me “Milan Expo 2015” dhe me Koorporatën për shmangien e përmbytjeve të Venecias, arrestimet e fundit tregojnë se sa larg ka depërtuar marrja e ryshfetit në administratat lokale anembanë Italisë.

Ish-kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno, është mes atyre që janë përfshirë në hetime. Ai mohon të ketë bërë ndonjë shkelje, por gjithsesi ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni që mbante në partinë e krahut të djathtë “FdI-AN”.

Alemanno, i cili e nisi karrierën në partinë që pasoi ish-partinë e vjetër Fashiste të Benito Mussolinit, është politikani më i lartë i implikuar në këtë skandal të ri.

Të dhënat tregojnë se e djathta është vendosur më në fokus të këtij skandali, por edhe anëtarë të Partisë Demokratike të Renzit, parti e majtë, janë akuzuar gjithashtu. Disa zyrtarë në administratën aktuale të qendrës së majtë të kryebashkiakut Ignazio Marino kanë dhënë dorëheqjen, edhe pse nuk pranojnë të kenë shkelur ligjin.

I përballur me thirrjet e “Lëvizjes 5 Yjet” për të dhënë dorëheqjen, Marino tha se i ka kërkuar Autoritetit Kombëtar Antikorrupsion të hetojë listën e kontratave potencialisht të dyshuara të Bashkisë së drejtuar prej tij. Edhe Renzi ka urdhëruar degën e PD-së në Romë të vihet nën mbikëqyrje speciale nga lideri kombëtar i partisë.

Dokumentet e Prokurorisë përfshijnë edhe përgjime që tregojnë se si sipërmarrës të paskrupuj kanë përfituar nga kontrata të majme publike, shpesh duke përfituar nga probleme serioze sociale, në një qytet që prej kohësh konsiderohet në prag falimenti.

Top Channel