Teknologjia e vijës fatale, pas Anglisë edhe Bundesliga jep “ok”

04/12/2014 00:00

Pas “Premier League”-s, edhe “Bundesliga” do të fusë në fushat e blerta përdorimin e teknologjisë së vijës fundore, për të verifikuar nëse topi ka hyrë në portë apo jo.

Gjithçka do të nisë nga sezoni i ardhshëm 2015-16, falë akordit të arritur mes 18 klubeve të kampionatit gjerman, edhe pse 3 prej tyre kanë qenë kundër. Sistemi parashikon instalimin e 14 telekamerave në trarët e portës: nëse topi kalon vijën fatale, arbitri merr në çast një sinjal në orën e tij.

Ka qenë Bayern Munchen, ekipi që ka kërkuar mbi të gjithë futjen e kësaj teknologjie, e cila përveçse ka rezultuar e suksesshme në Botërorin e fundit “Brazil 2014”, është trumpetuar me të madhe edhe në Itali, kryesisht nga administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, pas rastit të fundit të mohimit të një goli të rregullt të mbrojtësit Rami në ndeshjen Milan-Udinese.

Galliani i ka dërguar një letër presidentit të Federatës italiane të Futbollit (FIGC), Carlo Tavecchio. Sistemi rezulton tepër efektiv, sidomos po të kujtojmë se një rast i tillë kur është dashur ndërhyrja e kësaj teknologjie ka qenë në golin e dhënë pa asnjë polemikë të Cahill, gjatë ndeshjes Liverpool-Chelsea, të zhvilluar më 8 nëntor.

Top Channel