PD: Kreu i ri OSHEE-së, nën hetim për 8 tendera. Reagon Rama: Sajesë politike

04/12/2014 00:00

PD ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kriminalizuar OSHEE-në, duke caktuar në krye të operatorit të energjisë një person që sipas saj është nën hetim për korrupsion nga prokuroria e Durrësit.

“Pasi caktoi debitorë, hajdutë energjie, njerëz me preçedent penalë nëpër degët e OSHEE-së në rrethe, Edi Rama ia besoi dy ditë më parë drejtimin e energjisë në vend Ardian Çelës, i cili është aktualisht nën hetim për favorizim në tendera.

Media raporton se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur abuzime në 8 tendera të zhvilluara nga i besuari i Edi Ramës dhe sipas kontrollit, dëmi që ai ka shkaktuar është 1.3 milionë dollarë.

Aksioni policesk, brutal i Edi Ramës ka mbjellë errësirën në mijëra familje shqiptare që jetojnë në skamje, falë politikave të kësaj qeverie.

Qytetarët e papunë dhe me ekonomi të rrënuar përballen me faturat abuzive të OSHEE dhe kamatvonesat mbi këto fatura. Çfarë bën Edi Rama? Nuk ofron asnjë zgjidhje. Emëron në krye të OSHEE një person që është nën hetim për korrupsion. Ky është pra modeli i Edi Ramës.

Qytetarët e pamundur në burg, hajdutët e energjisë në OSHEE dhe ai që është nën hetim për korrupsion me 8 tendera e me 1.3 milionë dollarë dëm shtetit, drejtor i përgjithshëm.

Protestë dhe protestë do të ketë. Bashkimi masiv, popullor i qytetarëve për drejtësi, për punë e dinjitet do ta ndalë të keqen”, deklaroi deputeti Arben Ristani.

Por, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama ka reaguar ndaj akuzave të ardhura nga Partia Demokratike lidhur me drejtuesit e OSSHEE, të cilët janë në ndjekje pernale.

“Të vendosësh në krye të OSSHE sot një individ nën akuzë penale është e pajustifikueshme, po ta sajosh këtë për luftë politike çfarë është?”, ka komentuar kryeministri Rama.

Top Channel