Ministeriali i NATO-s, Bushati: Kemi marrë angazhime konkrete

04/12/2014 00:00

Me tërheqjen e trupave pas 10 vjetësh nga Afganistani, duke i caktuar një mision mbështetës, 28 vendet anëtare të NATO-s u pajtuan për të forcuar mbrojtjen e tyre nga Rusia e të tjera kërcënime, përmes një forcë të përkohshme ushtarake të reagimit të menjëhershëm, të miratuar gjatë ministerialit dyditor.

Njësia e parë pritet të ngrihet gjatë 2015-s dhe forca ushatarake pritet të bëhet e përhershme në 2016-n.

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm: Të gjitha vendet kanë marrë angazhime konkrete, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Jemi në fillim të zbatimit të detyrave që ngarkoi samiti i Uellsit, për t’i përkthyer më pas këto detyra në objektiva të matshëm ushtarakë, që mesa duket do të shqyrtohen në fund të dimrit apo fillimin e pranverës, në ministerialin e Mbrojtjes.

Mbledhja e NATO-s u shfrytëzua nga ministri shqiptar për takime bilaterale me homologët e tij europianë.

Ditmir Bushati: Me ministrin e Jashtëm të Italisë diskutuam për planet e fundit të Presidencës së tyre dhe mundësinë që Ballkani Perëndimor të jetë sa më i përfshirë, sikundër rakorduam që në fillim të vitit tjetër ne të kemi një takim tripalësh ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, në nivelin e ministrave të Jashtëm. Me ministrin e Jashtëm të Greqisë morëm në shqyrtim nivelin e zbatimit të marrëveshjes për toponimet, sikundër punën e komiteteve që janë riaktivizuar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, për sa i përket arsimit, varrezave, transportit dhe punës që duhet bërë nga Komisioni në fushën e ujërave të ëmbël dhe ndërkufitarë. Me ministrin e Jashtëm të Polonisë diskutuam për mbështetjen, që mund të japë Polonia ndaj Shqipërisë, me ekspertizë në procesin e integrimit europian, duke qenë se është një histori suksesi. Me ministrin e Jashtëm të Holandës diskutuam për projektet dhe strategjinë, që ka Holanda aktualisht për vendet e Ballkanit, dhe mënyrën se si Shqipëria duhet të përfitojë nga ekspertiza holandeze dhe investimet holandeze në rajon.

Në të gjitha takimet mësohet të jetë shprehur dëshira e palës shqiptare për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, pjesërisht e mbështetur në parim nga disa prej ministrave, meqenëse ende nuk ka një ide të qartë për datën e nisjes së tyre.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel