Maqedoni, buxheti i Bashkisë së Shkupit diskriminon shqiptarët

04/12/2014 00:00

Kushtet e rënda, në të cilat jetojnë shqiptarët në kryeqytetin e Maqedonisë, nuk pritet të përmirësohen as vitin e ardhshëm, pasi në buxhetin e Bashkisë së Shkupit për vitin 2015 nuk janë parashikuar projektet konkrete për të ndryshuar këtë situatë.

Këto akuza i ka bërë këshilltari i PDSH-së në qytetin e Shkupit, Idriz Orana, i cili tha se mjetet që parashikohen në buxhet për projektet shqiptare janë simbolike.

“Ne nuk flasim kot, por e vërteta qëndron në buxhet, ku janë shifrat dhe faktet. Ky buxhet është antishqiptar dhe nuk korrespondon me realitetin. Në vendbanimet shqiptare nuk kemi asnjë përqind investime nga buxheti i përgjithshëm, që është parashikuar për vitin 2015”, tha Idriz Orana, këshilltar i PDSH-së në Shkup.

Buxheti i Bashkisë së Shkupit për vitin 2015 u miratua të mërkurën, ndërsa PDSH-ja opozitare kritikoi edhe këshilltarët shqiptarë të BDI-së për mbështetjen që i dhanë këtij buxheti, që nga opozita u cilësua si përjashtues për shqiptarët.

“Ky buxhet u miratua edhe falë servilizmit dhe vasalitetit nga ana e këshilltarëve të BDI-së. Pa aspak turp e votuan dhe krenohen me këtë buxhet. Nuk duam të keqkuptohemi, por duam të themi të vërtetën dhe t’i themi përgjithmonë ndal këtij degjenerimi dhe poshtërimi, që na bën pushteti qendror dhe lokal”, tha më tej Idriz Orana.

Këshilltari i PDSH-së opozitare Orana u shpreh i zhgënjyer edhe nga fakti, që në buxhetin e kryeqytetit për vitin e ardhshëm, krahas shumave të larta për projektet maqedonase, janë parashikuar vetëm 2 mijë euro për festimin e Ditës së Alfabetit.

Top Channel