Tahiri-May, vlerësohet përparimi në luftën kundër krimit

04/12/2014 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar në Londër me
homologen e tij britanike Theresa May, ku tema kryesore e bisedimeve ka
qënë forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër
krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.

Ministrja britanike ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm mes policisë shqiptare dhe asaj britanike.

“Vlerësoj rezultatet e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe trafikut të qënieve njerëzore. Jemi të gatshëm për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese”, është shprehur ministrja May.

Për këtë qëllim May ka theksuar se ‘National Crime Agency’ do bashkëpunojë ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit në Policinë e Shtetit. Nga ana e tij Ministri Tahiri u shpreh se Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare janë të angazhuara maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit elitar, trafikut të drogës dhe trafikimit të qënieve njerëzore.

Gjithashtu Tahiri kërkoi shkurtimin e procedurave për azilkërkuesit shqiptarë dhe theksoi angazhimin e Shqipërisë për zbatimin e marrëveshjeve të ripranimit. Në fund, dy ministrat nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit kundër trafikimit të qënieve njerëzore.

Top Channel