Jemen, video e një pengu amerikan. SHBA: U përpoqëm ta shpëtonim

04/12/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se janë përpjekur për të shpëtuar pengun amerikan të lindur në Britaninë e Madhe, Luke Somers, i cili ndodhet në duart e degës së al-Qaeda-s në Jemen, të njohur si AQAP.

Sipas njoftimit të fundit, njoftohet se ka qenë Presidenti Barack Obama, ai që autorizoi misionin e shpëtimit muajin e kaluar.

“Fatkeqësisht, Luke nuk ishte prezent në vendndodhjen e bastisur prej nesh. Por ishin pengje të tjerë të kombësive të ndryshme dhe ata u shpëtuan”, njoftoi Këshilli Kombëtar i Sigurisë.

Një person i identifikuar si Luke Somers, i cili është marrë peng në vitin 2013, u shfaq në një video duke thënë se jeta e tij është në rrezik dhe apeloi për ndihmë. Videoja tregon gjithashtu një anëtar të “al-Qaeda në gadishullin arab” (AQAP), i cili kërcënonte se do të ekzekutonte Somersin nëse nuk do të përmbusheshin disa kërkesa të paspecifikuara.

Videoja 3-minutëshe por pa një datë se kur është regjistruar nuk është lëshuar publikisht.

Somers punonte si një gazetar dhe fotograf për organizatat lokale të lajmeve dhe materialet e tij shfaqeshin edhe në mediat e lajmeve ndërkombëtare, përfshi BBC.

Më 25 nëntor, forcat amerikane dhe ato të Jemenit liruan 6 jemenë, një saudit dhe një etiopian, të cilët mbaheshin peng nga AQAP, në një operacion të kryer në një shpellë mali në rajonin kufitar Hajr al-Sayar të provincës Hadramaët. Raportohet të jenë vrarë 7 militantë në këtë operacion.

Zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, në SHBA, Bernadette Meehan, tha: “Sapo qeveria amerikane kishte burime të besueshme nga shërbimet sekrete dhe një plan operacional, Presidenti autorizoi Departamentin e Mbrojtjes të zhvillonte një operacion për të shpëtuar Somersin”. Ajo shtoi se “detajet e operacionit mbeten ende të klasifikuara”.

Top Channel