Dyndje në zyrat OSHEE-së, qytetarët në radhë për të shlyer detyrimet

04/12/2014 00:00

Pas njoftimit për skemën e re të pagimit të borxheve për energjinë elektrike, duket se qytetarët janë ndërgjegjësuar, duke zënë radhë deri në orët e mbrëmjes për të lidhur kontratat me OSSHEE dhe paguar detyrimet.

Në zonën e Tiranës së Re, me dhjetëra qytetarë kanë nxituar për të shlyer detyrimet e tyre të prapambetura.

Më herët, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla gjatë inspektimeve të
aksionit të OSHEE-së në zonën e Don Boskos në kryeqytet, i bëri edhe
njëherë thirrje qyetatarëve që të ndërgjegjësohen, ndërsa nuk kurseu
as akuzat për opozitën, duke theksuar se po mbështet anarshinë dhe
shtetin antiligjor.

“Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, studentët, pedagogët, prindërit e komunitetet, sepse është një çështje e lidhur me edukimin që duhet të fillojë në bankat e shkollës për të formuar evropianët e nesërm. Qytetarët e përgjegjshëm i janë kthyer procesit të arkëtimeve e ndërkohë që qeveria punon, opozita vijon në rrugën e anarshisë dhe antiligjit”, deklaroi Nikolla.

Sipas administratorit të ri të OSHEE-së Adrian Çela, tashmë ka nisur aplikimi i skemës së re të pagesave. “Vendimi i fundit i bordit drejtues të OSHEE-së për afatin e fundit më 28 shkurt ka nisur që sot, qytetarët e kanë kuptuar dhe kanë nisur efektet e tij”, deklaroi Çela.

Çela i kujtoi edhe njëherë të gjithë debitorëve se kanë afat deri më datë 28 shkurt për të përfituar nga kjo skemë e pagesës së borxheve të energjisë elektrike.

Top Channel