Rishikimi i planit të rrugës Tiranë-Elbasan, Balla: Ndëshkimi duhet të nisë me Lulzim Bashën

04/12/2014 00:00

Parlamenti miratoi edhe rishikimin e planit fillestar për investimin e rrugës Tiranë-Elbasan, rishikim që ul shumën e parave që do të paguhen për përfundimin e saj, pasi sipas mazhorancës ajo ishte kontraktuar nga qeveria paraardhëse me një faturë të lartë.

Kjo çështje solli edhe njëherë në podiumin e Kuvendit, problemin e madh me ndërtimin e rrugëve në Shqipëri, që janë përdorur si forma përfitimi për zyrtarët – siç tha Erion Braçe, – ndëshkueshmëria për të cilët do të jetë mënyra e vetme për t’i dhënë fund kësaj praktike, tha ai.

Për Taulant Ballën, gjykimi për këtë çështje duhet të nisë nga Lulzim Basha.

“Është ky rasti, zoti prokuror, që të fillohej hetimi edhe për Ridvanin dhe Shrefedinin që gjetën paratë, por edhe për Lulin që i bëri rrush e kumbulla, sepse realisht nuk mund të gjej qetësi transparenca e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri, pa u hetuar dhe pa u gjykuar tërësisht dosja e rrugës Durrës-Kukës në ngarkim të Lulzim Bashës. Prokuroria, atëherë do të ketë bërë punën e vetë. Lulzim Basha, me raporte mjekësore për 3 vite me radhë iu shmang Prokurorisë dhe po kështu iu shmang edhe vendimit të gjykatës”, deklaroi deputeti socialist Taulant Balla.

“Unë e di që ky e ka slogan të tijin, që ka ‘qytetarin të parin’, por kjo nuk mund të jetë e vërtetë kjo vetëm në rastin kur qytetari i pari duhet të shkojë në gjykatë për t’u gjykuar. Në këtë rast, duhet të jetë ky i pari për të shkuar atje dhe për të dhënë një shembull të qartë gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që jemi të barabartë përpara ligjit që të gjithë”, u shpreh Braçe.

Top Channel