Forumi urban në Berat, Peleshi: Abuzuam me territorin

04/12/2014 00:00

Diskutimet për forumin urban me qëllim zhvillimin e territoreve u zhvendosën pasditen e së enjtes në qytetin e Beratit.

Zv.Kryeministri Niko Peleshi duke iu referuar investimeve që janë bërë nga subjekte të ndryshme, apo individë, tha se pasuria nuk ka ecur paralelisht me fizionominë e qyteteve.

“Kemi ndryshuar filozofinë sepse mendojmë që qytetet tona nuk kanë nevojë vetëm për mbështetjen financiare dhe për investime në infrastrukturë. Në fakt më së shumti ne kemi nevojë të restaurojmë sistemin e vlerave të shoqërisë shqiptare dhe të qyteteve në veçanti, sepse sjellja jonë me territorin në këto 20 vite, ka qenë një lloj marrëzie në mënyrën se si e trajtuam hapësirën publike, se si e keqpërdorëm, se si u turrëm pa menduar se po zaptojmë atë që nuk na takon ne, por brezin tjetër. Këtu e kam fjalën për hapësirat publike. Se si nuk u përpoqëm do të ndërtojmë në mënyrë estetike. Për fat të keq në këto 20 vite, kur të analizohen rrënojat e këtyre ndërtimeve, pas qindra vitesh, nuk do mund të lexohet dot një stil i caktuar”, deklaroi Peleshi.

Zv.Kryeministri shtoi se në qytetet e Shqipërisë janë investuar miliona dollarë për kthimin e tyre në identitet.

Top Channel