Basha: Përjashtohet kush hyn në Kuvend

04/12/2014 00:00

Deputetët që do të duan të hyjne në Kuvend, pavarësisht vendimit politik për bojkot nga opozita, rrezikojnë përjashtimin.

Kjo eshte bere e ditur ne emisionin “Top Story”, kur kryetari demokrat Lulzim Basha eshte pyetur per nismat e marra nga deputetja Mesila Doda.

“Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve me Kuvendin, pas sulmit të orkestruar në Kuvend, kundër fjalës së lirë, kundër deputetit tonë, është një vendim politik. Unë i qëndroj pikëpamjes se çdo deputet i Partisë Demokratike duhet të respektojë vendimin politik të Partisë Demokratike. Kush nuk e respekton, ndodh ajo që ndodh në çdo parti politike”, tha kryetari i PD-së, Basha duke paralajmëruar kështu vendimin për përjashtim.

Kreu Basha komentoi zgjedhjet ne Partine Demokratike dhe krijimin e strukturave te reja duke thene se nuk ka asnje perjashtim apo largim te figurave historike.

“Partia është rinovuar dhe ripërtërisë por nuk është tjetërsuar. Unë do të bëja një krahasim që e bera njëherë me të rinjtë e PD-së gjatyë një takimi. Mund ta krahasosh me një pemë fisnike, që është pema e ullirit, që ka një gjelbërim që nuk vdes kurrë. Ripërtërihet vazhdimisht, por ngjyra mbetet e njëjta. Kjo është Partia Demokratike, ka ripërtëritje, ka rinovim, por nuk ka tjetërsim. Nuk mund të ketë gjueti shtrigash, një parti që ka vendosur votën e anëtarëve në themel të organizimit të saj”, tha kreu i PD-së.

Basha shpjegoi edhe qendrimin e demokrateve per ate qe quhet rreziku i humbjes se mandateve te deputeteve nese Partia Demokratike nuk kthehet ne Kuvend brenda dates 20 dhjetor. Ndersa shpjegoi edhe kushtet e rikthimit te opozites atje.

Lulzim Basha: Të përkushtohet që këtej e tutje nuk do të ketë më lojëra. Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet menjëherë. Kemi kërkuar që ne të angazhohemi bashkarisht me të gjithë instrumentet politike dhe legjislative që kemi në dispocizion me detyrimin ndaj qytetarëve, të majtë apo të djathtë, që t’ju japim një qeverisje, parlament të painkriminuar, një përfaqësim sa më afër vlerave të qytetarëve

Sokoll Balla: A është drejt fundit marrëdhënia politike e PD-së me PDIU-në?

Basha: Partia Demokratike ka marrëdhënie me të gjitha partitë opozitare, parlamentare dhe joparlamentare. Çdo parti që e shikon veten në opozitë me partinë Rama-Meta e ka të hapur derën e bashkëpunimit me PD-në. I takon partive të tjera ta tregojnë këtë me vepra, jo me fjalë.Nuk mund të jesh edhe me Qeverinë edhe me opozitën.

 

—————-

Kryesia e Partisë Demokratike dominohet nga fytyra të reja të epokës
“Basha”. Pse u fshinë emrat e qeverisjes së vjetër, për të cilën Partia
Demokratike ende thotë se ishte më e mirë se sa aktualja? A do dalë
basti i kryetarit të ri? A do futet PD-ja në Parlament, ndërsa deputetët
e saj po i afrohen rrezikshëm djegies së mandatit?Për t’u dhënë përgjigje këtyre dhe të tjera dilemave të Selisë Blu, në “Top Story”, në një intervistë me gazetarin Sokol Balla ka qenë këtë të enjte kryetari i Partisë Demokratike dhe i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Sokol Balla: Zoti Basha, mirëmbrëma.

Lulzim Basha: Mirëmbrëma, faleminderit për ftesën.

Sokol Balla: Zoti Basha, të flasim pak për zgjedhjet e fundit në PD. Vërtet mendoni se kjo është një PD e re? A janë prurjet e reja në përputhje me vizionin tuaj?

Lulzim Basha: Në themel, procesi zgjedhor ka patur rinovimin dhe ripërtëritjen e PD, që është i rëndësishëm në demokraci. Është edhe më i nevojshëm pasi një parti humb zgjedhjet pas 8 vjetësh në pushtet dhe është forca më e madhe e opozitës, njëkohësisht alternativë për qeverisje të nesërme. Procesi është karakterizuar nga evidentimi dhe promovimi i vlerave dhe fryma e organizimit dhe kolegjialitetit. Kemi përmbushur me sukses fazën parë të nisjes së re, me një PD të ripërtërirë dhe të rinovuar, që të ecë me besim drejt sfidave dhe pritshmërive të qytetarëve.

Sokol Balla: Duket se të zgjedhurit kanë qenë të caktuarit nga kryetari i PD. Unë nuk besoj se kanë qenë zgjedhje demokratike

Lulzim Basha: Ne flasim me fakte. Atë që thash unë e vërteton produkti: me zgjedhjen e Kryesisë, Këshillit Kombëtar, të zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar. Ne arritëm deri në këtë proces pas zgjedhjeve në baza dhe dy tiparet kryesore që unë shoh sot në PD janë ndërthurja e harmonizimit me përfaqësimin e ambicjeve, kontributeve, vlerave, moshave, gjinive, etj. Këta anëtarë të PD erdhën në këtë proces pasi ne garantuam angazhimin tonë për Shqipërinë. Jemi 105 mijë anëtarë të rregullt të PD. Si çdo vendimmarrje tjetër, në çdo seksion, ka qenë vota e lirë e anëtarëve të PD. Unë jam i kënaqur me këtë proces sepse bëhet për herë të parë në historinë e pluralizmit të Shqipërisë.

Sokol Balla: Duket pak e vështirë që PD t’i njohë gjithë këto figura

Lulzim Basha: Dalin figura të reja, por edhe figura që kanë kontribuar e themeluar. Secili prej tyre përfaqëson një vlerë të konsoliduar ndër vite, në opozitë, apo të sprovuara në administrime të ndryshme gjatë qeverisjes 8-vjeçare.

Sokol Balla: Të mos harrojmë se ju jeni një krijesë politike që ka ardhur nga një rihapje e PD në 2004

Lulzim Basha: Një gjë është e sigurtë, me PD sot ekzistojnë të gjithë mekanizmat dhe hapësirat për këdo që dëshiron të japë kontributin e vetë. Për nga përmasat e demokratizimit të hapjes dhe bashkimit ky është një proces unik, i pandodhur më parë.

Sokol Balla: Po si mund ta quajmë atëherë? Me kë mund ta krahasojmë?

Lulzim Basha: Mund të them se PD është një parti që ripërtërihet, por nuk tjetërsohet.

Sokol Balla: Duket se ka pasur një spastrim emrash, si për shembull emri i Astrit Patozit apo Jozefina Topallit

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë spastrim. Zoti Patozi, sikurse figura të tjera si zonja Topalli, zoti Imami, etj, janë personalitete që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në PD, në opozitë e qeverisje. Zonja Topalli dhe zoti Patozi kanë qenë nënkryetarë të PD. Ai më pas dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti i nënkryetarit, por është pjesë e elitës së PD.

Sokol Balla: Por qoftë zonja Topalli, qoftë edhe zoti Patozi janë zëra kundër jush… Mos vallë ka pasur një gjueti shtrigash?

Lulzim Basha: Nuk ka gjueti shtrigash në një parti që ka vendosur votën e lirë në themel të vendimmarrjes. Nuk ka. Mundësia për të gabuar ekziston, por është më e pakët duke parë mënyrën që u votua. Ftesa e lidershipit të PD në Gjermani nga kancelarja Angela Merkel është provë e vlerësimit të këtij modeli dhe synonte pikërisht afrimin me partitë e djathta evropiane.

Sokol Balla: Në kongres nuk u përmend asnjëherë emri i Sokol Olldashit. Ka pasur një reagim emocional të disa delegatëve, por dhe më gjerë. Keni një koment për këtë?

Lulzim Basha: Unë nuk kam koment për asnjë spekulim. Sokol Olldashi mbetet një figurë me një kontribut të shquar politik në PD dhe në qeverisje. Respekti dhe nderimi im për të është i palëkundur, ndërsa tentativat për të keqpërdorur figurën e tij janë për t’u ardhur keq.

Sokol Balla: Por pavarësisht analizave dhe rrugëtimit që ju keni marrë, në PD ka ende të pakënaqur. Pse nuk e keni artikuluar atë që keni bërë? Në opinionin tim, ka një mungesë sinqeriteti. Sot, pasi kjo kastë e vjetër është larguar, a ka kryetari i ri guxim të flasë?

Lulzim Basha: Unë e kam dëgjuar këtë si ftesë për të gjykuar faktet dhe pseudofaktet ku bazohet. Është prezumimi se ka spastrime, nuk është i vërtetë. Është prezumimi se kjo që ka ndodhur ka lënë të pakënaqur, nuk është e vërtetë. Këtu nuk vijmë sepse është vullneti politik i një njeriu të vetëm, por sepse është bërë një analizë e shëndetshme, që ka evidentuar faktorët objektivë të daljes së PD në opozitë. Ka të bëjë me faktorë brenda nesh, jashtë nesh, me faktorë të kundërshtarëve politikë që lidhen me vjedhjen dhe blerjen e votës, si dhe me dështimet tona në raport me PD dhe qytetarin. Dhe unë ju siguroj se është bërë një analizë e plotë. Procesi nuk ka degjeneruar në një harakiri. Në Kongresin Kombëtar nuk kemi thënë se faji i humbjes ka qenë i zyrtarëve të këtij apo atij niveli. Kryetari i PD dha dorëheqjen. Analiza ka pasur në themel çfarë bëmë gabim dhe çfarë mund të ndreqim dhe jo kujt t’i nxjerrim sytë.

Sokol Balla: Ka shumë që bëjnë analogji mbi modelin tuaj politik dhe atij të zotit Rama. Kryesia e PD nuk ka një përfaqësim aq promocional të grupit parlamentar, ndoshta për shkak të numrit të pakët të grave që ju keni

Lulzim Basha: Kryesia e re ka marrë përgëzimin e kryesisë së gjerë të PD. Kryesia ka 13 zonja në poste vendimmarrëse. 3 janë profesorë, 3 profesorë të asociuar dhe 13 të tjerë do të marrin titullin doktor shkencash. Ka figura që janë aty për shkak të kontributit të tyre, por ka edhe deputetë që kandiduan dhe fituan duke u bërë anëtarë të kryesisë, që ka rreth 40 anëtarë, 20 prej të cilëve deputetë. Ata u zgjodhën me votën e anëtarëve të Këshiliit Kombëtar. Kemi përfaqësim dhe harmonizim.

Sokol Balla: Keni edhe bashkëpunëtorët tuaj në Bashkinë e Tiranës

Lulzim Basha: Po, por ata janë persona që nuk e kanë nisur karierën në Bashkinë e Tiranës. Për shembull zoti Enno Bozdo, ai ka qenë shumë më parë me PD. Janë njerëz që nuk vijnë nga anonimati, por nga kontributi politik.

Sokol Balla: Sekretar i përgjithshëm është zgjedhur Arben Ristani. Për këtë post garuan tre emra, një figurë historike, një i ri dhe i treti zoti Ristani. Duket e habitshme që Eduart Selami del i treti, Enkelejd Alibeaj i dyti dhe zoti Ristani i pari. Ristani ishte njeriu që ju shpalli fitues në zgjedhje, mos ishte ky një shpërblim?

Lulzim Basha: Zoti Ristani është futur në politikë në vitin 2012, kur unë isha kryetar bashkie dhe kryetar i PD, zoti Sali Berisha. Ai ka kandiduar dhe ka fituar mandatin e deputetit, ka qenë figurë e spikatur në këtë vit e gjysmë opozitë. Zoti Selami është figurë historike, një figurë që gëzon mbështetje të gjerë popullore. Zoti Alibeaj është një nga figurat me integritetin më të lartë, një nga figurat kryesore të avokatisë institucionale të PD. Të tre garuan në një garë të fortë e të bukur dhe u ndanë me shumë pak vota nga njëri-tjetri. Nëse unë do kisha përcaktuar kandidaturën fituese, të jeni të sigurtë që këtë nuk do ta kisha pasur të lehtë. Ky është një standard i vendosur në këto 24 vjet të PD.

Sokol Balla: Mua më shkon mendja se duhet të votohej zoti Ristani për shkak se

Lulzim Basha: Mund të jetë mendimi juaj, por jo mentaliteti i PD, që në vitin 2014 ka hyrë në një nivel të ri. Votimi ka qenë sovran, i fshehtë dhe ka sjellë këtë rezultat. Ka qenë një garë e fortë dhe e bukur.

Sokol Balla: Mendoni se zoti Ristani mund ta bëjë këtë detyrë më mirë se zoti Selami?

Lulzim Basha: Hamendësimet nuk më takojnë mua, ky ishte një vendim i Këshillit Kombëtar.

Sokol Balla: Qoftë për emrin e Ristanit, qoftë për atë të Endira Bushatit, PS ka hedhur akuza

Lulzim Basha: Këto janë komplekse të PS, sepse nuk ka asnjë fakt që këta dy individë, që kanë pasur poste drejtuese, të mos kenë bërë si duhet detyrën. Ata janë njerëz që përfaqësojnë vlera, që kanë kontribuar për interesin publik dhe vijojnë ta bëjnë këtë. Si ata edhe gara kanë pasur një lajtmotiv: promovimin e vlerave të kontributeve, të ekspertizës, etj. Këtë e konsideroj një kundërsulm ndaj planit të dyshes Rama-Meta, që po promovon anti-vlera, po promovon njerëz të krimit, njerëz me diploma false, etj.

Sokol Balla: Sa realisht i keni pasur zgjedhjet larg ndikimit të Sali Berishës?

Lulzim Basha: Të lirë kemi qenë 100 për qind.

Sokol Balla: Unë dyshoj që ju keni votuar për zotin Ristani

Lulzim Basha: Mos dyshoni tek unë sepse jam njeri që respekton votën e lirë dhe të fshehtë. Modeli i vlerave që kam promovuar unë është modeli i qytetarëve shqiptarë. Jemi një parti e hapur, kushdo që gjen veten në vlerat tona është i mirëpritur. Por do të marrë përgjegjësinë. Përjashtim bëjnë ata që vijnë nga bota e krimit, që sot kanë një strehë tek mazhoranca e dyshes Rama-Meta.

Sokol Balla: Po thoni që modeli Berisha po zëvendësohet me modelin Basha?

Lulzim Basha: Modeli Basha, nëse mund ta quajmë kështu, është model i ri, i nismës së re dhe alternativës. Risia kanë filluar me regjistrimin, e dimë sesa anëtarë kemi dhe ku i kemi. Këta anëtarë marrin vendimet në PD dhe ky ka qenë themeli ynë. Programi ynë i ri është oferta për shqiptarët, që do të na vlerësojnë.

Sokol Balla: Ka shenja se ju nuk keni kontroll të plotë në parti. Të paktën gazeta “Rilindja Demokratike” hapet gjithmonë me zotin Berisha në plan të parë. Kjo gazetë u hap edhe me një goditje ndaj kompanisë MAPO, që ju ka mbështetur juve. Kjo është një goditje frontale

Lulzim Basha: “Rilindja Demokratike” është gazeta e parë e PD. Unë nuk flas në telefon në darkë me redaksinë e “RD” për të caktuar se çfarë të botohet. Por sot, “RD” është media kryesore kundër qeverisjes Rama-Meta, që po përpiqet të zërë çdo zë të lirë. Ky është misioni i “RD”.

Sokol Balla: Thatë që keni një parti të rinovuar por jo të tjetërsuar. Këto ditë ka patur një deklaratë të kryetarit të grupit parlamentar Edi Paloka ndaj deputetes Mesila Doda për ligjin e lustracionit. Ajo u quajt “marionetë e Edi Ramës”. Besoj se këtë deklaratë e keni mriatuar edhe ju?

Lulzim Basha: Nëse unë nuk bie dakord me një linjë editoriale të një deputeti, reagoj sepse jam kryetari. Zoti Paloka nuk i është drejtuar asnjë personi në veçanti. Ai ka bërë një deklaratë politike ndaj dyshes Rama-Meta, që thotë se do hapë dosjet, por që ka sjellë në pushtet elementë të diktaturës. Deklarata e tij ka qenë politike. Unë i qëndroj faktit se çdo deputet i PD duhet të respektojë vendimin politik të PD.

Sokol Balla: Po nëse nuk e bën?

Lulzim Basha: Bëhet ajo që bëhet në çdo parti.

Sokol Balla: Do të thotë që zonja Doda do përjashtohet?

Lulzim Basha: Unë jua thash. Çdo deputet duhet të ketë raport me vendimet e PD.

Sokol Balla: Po udhëtimet e Topallit me delegacionin shqiptar janë konsultuar? 

Lulzim Basha: Në asnjë rast. Kur ne kemi patur rast të ftohemi nuk kemi folur për një arsye të thjeshtë, sepse pjesë e rëndësishmë ka qenë ndërgjegjësimi i institucioneve ndërkombëtare për rrezikun e madh që i kanoset demokracisë, Kushtetutës së Shqipërisë dhe opozitës. Kjo është arsyeja pse kemi marrë pjesë në takimet periodike me ndërkombëtarët, jo për të qenë dekor të shumicës.

Sokol Balla: Ka një shqetësim ligjor dhe Kushtetues mbi vlefshmërinë e mandateve, jo më larg se sot në Gjykatën Kushtetuese pati një reagim publik të një anëtari për një cështje, ku ju tha qartë se nuk duhet të mbërrini në këtë gjykatë pa konsumuar rrugët e tjera. Do digjni mandatet?

Lulzim Basha: Sistemi është në krizë, jo për faj të PD. PD i janë pamundësuar kushtet për të funksionuar në parlement, që nisi me kapjen e një pjese të opozitës dhe e bëri këtë për të cuar një mesazh të qartë opozitës që në vend të konsensusit ka zgjedhur të bëjë pazare. Kemi qenë sipas minutazhit opozita më aktive, kemi debatuar, bërë transparencë në rastin e vjedhjes së votave në Korçë, vjedhjes së të dhënave të tatimeve, në rastin e komisionit hetimor për personat e inkriminuar në administratë. Por komisionet hetimore u hodhën poshtë, që është instrument i opozitës.  Shkelën Kushtetutën dhe ne kur na dha Gjykata Kushtetuese të drejtë, këta refuzuan ta zbatojnë. Shumica eleminoi çdo hapësirë për opozitën shqiptare duke lënë vetëm fjalën dhe cfarë ndodhi me fjalën? Më 11 korrik me urdhër të Edi Ramës, një repart azapësh sulmuan deputetët e PD. Është detyrë e prokurorisë të shkojë të marrë tabulatet dhe të gjejë organizatorët. Edhe ata vetë e kanë thënë që ‘nuk duhet të merremi me ne, duhet të merreni me organizatorët’.

Sokol Balla: Por komisionet janë të ngritura…

Lulzim Basha: Pasi iu drejtuam në gjk. Vendimi politik nuk ka qenë për interesin tonë, por për interesin e vendit. kemi marrë këtë hap për të mbrojtur themelin e demokracisë. Pavarësisht nëse je i majtë apo i djahttë, cdo shqiptar bie dakort që në demokraci ka gjithmonë opozitë, qeveritë ndërrohen. Zoti Rama dhe zoti Meta me sjelljen e tyre e kanë bërë të qartë që opozitën nuk e shohin si pjesë të vendimmarrjes, por si pengesë. Ne kemi paraqitur një rrugëdalje nga situata ku e kanë futur Edi Rama dhe Ilir Meta. I kam thënë javën e shtatorit që kjo situatë është e papranueshme në një parlament dhe që nuk do të ketë më lojëra me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E dyta është që të angazhohemi bashkarisht që t’i japim një qeverisje dhe parlament të painkriminuar shqiptarëve. Nuk mundet që në parlamentin shqiptar të jenë ish-trafikantë, ish-trafikantë droge. Po flas për standardin që duhet të synojë një qeverisje demokratike.

Sokol Balla: Gjykata Kushtetueze kur ju rrëzoi ligjin e lustracionit tha se nuk mund të ndërpritet mandati i deputetëve të zgjedhur…

Lulzim Basha: Është cështje konsensusi politik. Ka qenë strategji politike e Ramës që të zmadhonte influencën e tij politike duke u dhënë këta dy persona në ato dy zona. Madje eleminoi dy zonja që iu bë presion. PD ka të gjitha fuqitë dhe mjetet për t’u përballur me këtë situatë.

Sokol Balla: Dakort jam që parlamenti duhet të ketë standarde, por s’mund ta vendosësh kusht tani…

Lulzim Basha: Është një proces politik. Por Rama i shkeli marrëveshjet. Nuk kërkojmë  një zgjidhje për t’u hedhur hi syve. Kemi kërkuar që të përkushtohet që për të gjitha ndryshimet ligjore dhe administrative për të pamundësuar moszbatimin e kushtetutës dhe kemi kërkuar edhe pastrimin e politikës nga krimi. Ka një apo dy duar të padukshme që i bëjnë drejtorë këta elementë. Pse Rama ka 3 muaj që refuzon këto? Rama-Meta janë arkitektët e këtij sistemi.

Sokol Balla: Kërkesa juaj është ireale sepse qoftë kjo mazhorancë dhe deputetët që ju thoni të inkriminuar do vlerësohet për këtë që është, ju po kërkoni ta ndryshoni?

Lulzim Basha: Jo ky është spekulim. Ne nuk kemi thënë asnjëheë që nuk e njohim parlamentin shqiptar. Strazimiri nuk ka qenë ndonjëherë më parë objekt i dhunës, por shqiptarët po, sepse policia shqiptare është mbushur me elementë të tillë. Parlamenti është asgjësuar sepse refuzon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, opozita dhunohet. Jemi në këtë betejë për shqiptarët, jo për veten tonë.

Sokol Balla: Do ta mbroni deri në fund vendimin për bojkot duke djekur mandatet?

Lulzim Basha: Këto janë vendime politike dhe që shqyrtohen. Për fat PD sot ka të gjithë ansamblin vendimarrës. Vendimi i ndërprerjes së marrëdhënieve është i qartë. Parlamenti të jetë pasqyra e transparencës së qeverisjes, jo perdja që mbulon aktet e qeverisjes me kosto për shqiptarët. Sot jemi në këtë situatë sepse këta nuk japin llogari për politikat e tyre fiskale. Dorëzuam 31 amendamente se si të ecte me paketën fiskale dhe me buxhetin. Qëllimi në vetvete janë qytetarët shqiptarë. Vendi është katandisur pa shpresë, pa punë, ka vetëm demagogji.

Sokol Balla: Pra PD do ta vazhdojë bojkotin për të rrezikuar mandatet. Do digjini mandatet pasi në Kushtetutë ka afate

Lulzim Basha:
Nuk jam këtu për të interpretuar…

Sokol Balla: Jeni 55 deputetë që jeni përfaqësues të popullit shqiptar dhe afatet ligjore…

Lulzim Basha: Afatet ligjore janë shumë të vakët në krahasim me qytetarët shqiptarë. Jemi detyruar të vinim në këtë vendim për të mbrojtur parlamentarizmin. Shqiptarët e meritojnë kontrollin, vendimarrjen transparente. Sot PD ka të gjitha instrumentat për të marrë vendimet e duhura politike, cdo vendim do të jetë në interes të qytetarëve.

Sokol Balla: Nuk përjashtoni as rikthimin?

Lulzim Basha: Vendimi është ky që është, ne duam rikthimin por…

Sokol Balla: Ju thoni që bojkoti do vazhdojë pa afat deri në plotësimin e kushteve tuaja, nga ana tjetër keni thënë që me këtë hartë nuk do merrni pjesë në zgjedhjet lokale…

Lulzim Basha: Asnjëherë nuk kemi artikuluar fjalën bojkot të zgjedhjeve, edhe pse harta është antikushtetuese.

Sokol Balla: Megjithatë të gjitha gjasat janë që Gjykata Kushtetuese do ta lërë në fuqi këtë hartë

Lulzim Basha: Ne kemi besim që Gjykata Kushtetuese do të zbatojë Kushtetuën dhe funksionin e vet elementar që është zgjidhja e konfliktetve dhe mosmarrvëeshjeve politike. Dyshja Rama-Meta nuk do ja dalë kurrë të kryejë dhe legjitimojë marrjen me dhunë të pushtetit vendor në Shqipëri.

Sokol Balla: Ju vetë do kandidoni?

Lulzim Basha:
Është një vendim që do të merret. Është një vendim sa personal aq edhe politik.

Sokol Balla: A vazhdon marrëdhënia me PDIU?

Lulzim Basha: PD ka marrëdhënie me të gjitha partitë opozitare, parlamentare dhe joparlamentare. U takon partive të tjera ta provojnë këtë me vepra dhe jo me fjalë. Kriteri është se cfarë qendrimi ke me pushtetin. Nuk mund të jesh edhe me qeverinë edhe me opozitën. Këtë e zgjedhin ata nëse janë në opozitë apo jo. Zgjedhja është e qartë.

Sokol Balla: PD organizon një protestë, më e madhja e organizuar prej saj, ndoshta më e madhja e organizuar prej saj në gjithë këto vite. Strategjia e PD do të jenë protestat, pasi Koha Jonë sot paralajmëronte…

Lulzim Basha: PD është një parti demokratike. Situata në të cilën ndodhet vendi është e rëndë. Kujt ja kishte marrë mendja që 1 vit pasi erdhi në pushtet kjo qeveri do të asgjësonte me politikat e saj të papërgjegjshme, 22 mijë vende pune vetëm në 3 mujorin e dytë? Papunësia mbretëron, cmimet dhe kostot e jetës janë rritur. Kujt ja merrte mendja që do të mbërrinim në këtë situatë. Hendeku mes asaj që thotë dhe po bën qeveria, hendeku me atë situatë që thotë kryeministri në televizor katër herë në ditë, është ndryshe atje. Kurrë më parë nuk kemi patur një diferencë të tillë mes asaj që thotë kryeministri dhe realitetit. Po thyen kontratën me të cilën erdhi në pushtet.

Sokol Balla: Jeni kundër aksionit për ndërprerjen e dritave?

Lulzim Basha: Jam pro aksioneve që vendosin ligje, por është një abuzim, taktikë e satrapëve. Ligji duhet zbatuar, por shteti duhet të jetë i drejtë, vjedhja është e paligjshme, por ka përgjegjësi shteti sepse drita nuk është luks. 600 mln euro i fali CEZ. Unë nuk do bëja marrëveshjen me CEZ, do vendosja në pozicione kyce njerëz me integritet dhe duke vendosur një kontroll të rreptë. CEZ u privatizua sepse ka qenë një strategji suksesi privatizimi, por që nuk funksionoi me CEZ. Keqmenaxhimi që i bëri CEZ dhe vjedhja që i bëri CEZ është kapitull tjetër, por këta e falën. Ka shumë rrugë për ta zgjidhur, është një problem i vështirë dhe i akumuluar, nuk zgjidhet më kërrbac në dorë.

Sokol Balla: Protestat do vazhdojnë?

Lulzim Basha: Protestat po vazhdojnë. Është gjendja në vend, indiferenca dhe braktisja që qeveria u ka bërë qytetarëve i detyron të shkojnë në protestë. Qeveria ka braktisur qytetarët në kuptimin e plotë të fjalës. Qeveria reagon ndaj protestave dhe protestat do të vazhdojnë.

Sokol Balla: Më mirë të reagosh ndaj protestave se sa të vrasësh protestues…

Lulzim Basha: Ajo është një ngjarje tragjike e provokuar nga Edi Rama. Ajo është një tjetër histori, ndaj protestat do të vazhdojnë. Këta mund të mos dëgjojnë, por ne do të jemi me qytetarët, do t’i dëgjojmë dhe do jemi krah tyre. Të mos rrisë taksat, të lërë retorikën, të lërë shpenzimet qeveritare të luksit, këto janë kërkesat tona, kjo është rruga e drejtë për të dalë nga situata. 

Top Channel