SHBA, vijojnë protestat, tjetër vrasje nga policia

05/12/2014 00:00

Një tjetër person me ngjyrë dhe i çarmatosur është vrarë nga policia amerikane në Feniks të Arizonës. Ngjarja ka ndodhur ditën e martë, por është publikuar vetëm në orët e fundit.

Agjenti kishte ndaluar 34-vjeçarin Rumain Brisbon nën dyshimin e shpërndarjes së drogës, por ai kishte në xhep vetëm një paketë me kapsula. Pas një përplasjeje, agjenti nuk ka hezituar të përdorë armën.

Ndërkohë, mbarë Shtetet e Bashkuara kanë kaluar një natë të gjatë protestash, që janë shoqëruar me 83 të arrestuar vetëm në Nju Jork.

Manifestuesit vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Jurisë së Madhe që shfajësoi agjentin e bardhë që verën e kaluar vrau duke mbytur një djalosh amerikan me ngjyrë.

Nga Siatëlli në Uashington, nga Oklandi në Los Anxheles, dhjetëra mijëra persona kanë zbritur në rrugë për të shprehur edhe njëherë acarimin e tyre nga dhuna e policisë dhe kundër racizmit.

Protesta janë mbajtur edhe në Ferguson dhe Seint Luis të Misurit, ku ende është e freskët “plaga” e shfajësimit të një agjenti tjetër të bardhë që vrau me armë zjarri një tjetër të ri me ngjyrë e të çarmatosur.

Një marshim kombëtar në Uashington është parashikuar për më 13 dhjetor, për të manifestuar për mbrojtjen e të drejtave civile dhe kundër dhunës së policisë.

Njoftimi është bërë nga një prej liderëve më të lartë të komunitetit afro-amerikan, Al Sharpton, i cili në Nju Jork u bashkua me familjen e Eric Garner, i riu me ngjyrë i vrarë verën e kaluar nga policia.

Agjenti vrasës, si pasojë e vendimit të Jurisë së Madhe, nuk do të gjykohet. Megjithatë, vrasja e të riut do të hetohet nga Departamenti i Drejtësisë, ka bërë të ditur një funksionar në kushte anonimati.

Top Channel