SHBA, rriten denoncimet e sulmeve seksuale në ushtri

05/12/2014 00:00

Në radhët e Ushtrisë Amerikane numri i agresioneve seksuale të raportuara është rritur me 8 për qind këtë vit, duke arritur kuotën e 5.983 rasteve.

Por thuajse dy të tretat e atyre që kanë bërë denoncimin kanë pretenduar më pas se janë bërë objekt veprimesh hakmarrëse.

Numri total i trupave që thonë se janë përballur me kontakte seksuale të padëshirueshme ra nga 26 mijë në vitin 2012 në 19 mijë në 2014.

Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel deklaroi se angazhimi trevjeçar kundër agresioneve seksuale në ushtri ka treguar progres real, por shtoi se ka ende punë për të bërë.

Të dhënat e fundit kanë ardhur nga një studim anonim i kryer nga Pentagoni. Nga 19 mijë persona në tërësi që thanë se kishin përjetuar kontakte seksuale të padëshirueshme, rreth 10.500 prej tyre ishin meshkuj dhe 8.500 femra.

Zyrtarë të Pentagonit deklaruan se rritja e denoncimeve të këtyre rasteve është inkurajuese, pasi sipas tyre tregon se ka rritje të personave që duan të raportojnë incidentin.

Por ata shprehën shqetësimin se 62 për qind e viktimave femra të këtyre sulmeve deklaruan se ishin përballur me pasoja për denoncimin e agresioneve.

Zoti Hagel deklaroi se çështja e shpagimeve është diçka që duhet frenuar. “Kur dikush raporton një sulm seksual, ai apo ata duhet të përkrahet dhe të ndihmohet e jo të izolohet e të bëhet objekt shpagimi”, tha Hagel.

Senatorja demokrate Kirsten Gilibrand, një aktiviste e njohur në mbështetje të viktimave të sulmeve seksuale, deklaroi se fakti që rastet e shpagimeve nuk kanë pësuar rënie duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë.

Top Channel