Vatikani zbulon llogaritë e fshehta bankare

05/12/2014 00:00

Zyrtari përgjegjës për financat e Vatikanit deklaron se ka zbuluar miliona euro të fshehura në llogari bankare. Kardinali George Pell, që drejton Sekretariatin për Ekonominë tha se kjo tregon se financat e Selisë së Shenjtë janë më të mira nga sa mendohej.

Ai i bëri komentet në Seancën Katolike, në një ese ku nënvizoi vizionin e tij për Vatikanin. Papa Françesku e caktoi kardinalin Pell në kuadër të përpjekjeve të tij për të reformuar Kishën dhe për ta bërë atë më transparente.

“Është e rëndësishme të vëmë në dukje se Vatikani nuk është trokë. Përveç fondit të pensioneve, Selia e Shenjtë zotëron asete të majme dhe investime”, deklaroi Pell.

“Ne kemi zbuluar se situata është shumë më e shëndetshme nga sa dukej, pasi disa qindra milionë euro janë fshehur në llogari të fshehta bankare dhe nuk shfaqeshin në balancën tonë”, shtoi kardinali.

Në Bankën e Vatikanit janë verifikuar një numër skandalesh, më i fundit prej të cilëve vitin e kaluar kur qarkulluan zëra se institucioni në fjalë ishte përdorur për pastrim parash.

Kardinali Pell nuk tha nëse kishte konstatuar ndonjë keqmenaxhim, por vuri në dukje se për një kohë të gjatë departamentet e Selisë së Shenjtë kishin pasur dorë të lirë në aksesin tek financat e tyre.

“Reformat e Papa Françeskut e kanë kaluar tashmë pikën ku mund të ktheheshe mbrapa. Ato synojnë t’i bëjnë financat e Vatikanit thellësisht të suksesshme”, tha Pell.

Në momentin e zgjedhjes së Papa Françeskut, kardinali Pell, nga Australia, kishte qenë zëri i tij për reformat në sistemin financiar të Selisë së Shenjtë.

Top Channel