Familja e pengut amerikan, apel Al Kaedës

05/12/2014 00:00

Familjarët e pengut amerikan Luke Somers i kanë bërë apel përmes një videoje militantëve të Al Kaedës që të “tregojnë mëshirë” dhe ta lirojnë atë.

Në një deklaratë të publikuar online, e ëma e tij Paula Somers thotë: “Ju lutem, na jepni mundësinë ta shohim sërish djalin tonë”.

Një person i identifikuar si Luke Somers, i rrëmbyer në vitin 2013, u shfaq në një video ditën e mërkurë duke thënë se jeta e tij ishte në rrezik dhe kërkonte ndihmë.

Autoritetet amerikane zbuluan një ditë më parë se ishin përpjekur ta shpëtonin atë muajin e kaluar. “Për fat të keq, Luke nuk ishte i pranishëm aty ku ndodheshin edhe pengje të tjerë, të cilët u shpëtuan”, deklaroi të enjten Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Në një video të postuar në YouTube, mamaja e Somers dhe vëllai i tij thanë se, “ai vetëm sa po përpiqej të bënte gjëra të mira për popullin jemenas”.

“Luke është vetëm një fotoreporter dhe nuk është përgjegjës për ndonjë veprim të qeverisë amerikane”, deklaroi vëllai i tij, Jordan.

Ndërsa zonja Paula Somers, duke vënë në dukje se i biri shfaqej në gjendje të mirë shëndetësore, falenderoi pengmarrësit për këtë.

Luke Somers, 33 vjeç, punonte si gazetar dhe fotograf për organizatat lokale të lajmeve dhe materialet e tij janë shfaqur në shumë agjenci ndërkombëtare.

Në videon e publikuar të mërkurën, një anëtar i Al Kaedës në Gadishullin Arabik kërcënon se do ta vrasë atë nëse një seri kërkesash nuk plotësohen.

Top Channel