Në Athinë mbërrin pasditen e së premtes, në një vizitë dyditore, kryeministri turk Ahmet Davutoglu, i cili do të marrë pjesë edhe në Këshillin e tretë të Lartë të Bashkëpunimit Greqi-Turqi.

Pas mbërritjes në aeroportin “Eleftherios Venizellos”, ai do të takohet rreth orës 17:00 me orën lokale me kryeministrin grek Antonis Samaras, ndërsa në takim do të jenë të pranishëm edhe ministrat e Jashtëm të dy vendeve.

Në mbremje delegacioni turk, i shoqëruar nga udhëheqja e lartë greke, do të përshëndesë punimet e Forumit të Biznesmenëve të dy vendeve, ndërsa më pas do të ketë një darkë pune.

Vizita e kryeministrit turk ndodh në një moment acarimi të marrëdhënieve dypalëshe, sidomos përsa i përket Zonës Ekskluzive Ekonomike detare të Qipros, ku besohet se ka rezerva të mëdha të naftës dhe gazit natyror, pas marrëveshjes që kanë arritur Athina, Nikozia dhe Kajro për ndarjen midis tyre të kufijve detarë.

Turqia këmbëngul se një pjesë e kësaj zone i përket edhe turko-qipriotëve. Me interes priten edhe bisedimet për zhvillimet në rajon, sidomos për luftën në Siri dhe bashkëpunimin kundër xhihadistëve.

Për shkak të vizitës së kryeministrit turk, një pjesë e mirë e rrugëve të Athinës janë të bllokuara, ndërsa forca të shumta policie janë shpërndarë në gjithë kryeqytetin edhe për dy arsye të tjera.

Të shtunën e 6 dhjetorit është përvjetori i gjashtë i vrajses së 15-vjeçarit grek Aleksandros Grigoropoulos dhe fillimi i së ashtuquajturës Levizja e protestave të dhjetorit.

Të dielën priten protesta të sindikatave në qendër të qytetit, pasi Parlamenti grek do të votojë projektbuxhetin për vitin 2015, ndërsa diskutimet kanë filluar që sot në mëngjes.

Top Channel