Mjekësia në Greqinë e antikitetit

05/12/2014 00:00

Interes të madh ka ngjallur një ekspozitë në Athinë, e cila tregon metodat shëruese të grekëve të lashtë duke dhënë një imazh të plotë se si ata kuronin sëmundjet e ndryshme, cilat ishin medikamentet, kirurgjia e atëhershme dhe instrumentet mjekësore.

E ndarë në tre pjesë: shëndeti, sëmundja dhe terapia, ajo mbulon një periudhë prej 15 shekujsh, nga vitit 1200 para Krishtit.

Në një prej sallave të Muzeut të Artit Cikladik janë vendosur rreth 300 objekte të antikitetit të marra nga 41 muzeume greke, por edhe nga Muzeu Britanik, ai i Luvrit dhe ai i Firences.

Sipas grekëve të lashtë, sëmundja ishte një sinjal i zemërimit dhe pakënaqësisë së perëndive. “Çdo veprim ose mosveprim i çfarëdolloj niveli, që dikush kishte bërë apo jo në jetë, ishte arsyeja që perënditë të të dënonin”, tregon Nicholas Stampolidis, drejtor i Muzeut të Artit Cikladik.

Ishte më pas merita e mjekëve greke të lashtësisë që rreth shekullit VI para Krishtit shkëputën metodat mjekësore nga magjitë dhe besimi fetar me flijime të ndryshme, apo punime me skalitje të pjesëve të sëmura që i dhuroheshin perëndive.

Ekspozita paraqet pjesë të trupit të punuara me baltë apo mermer, si organe gjenitale, organe riprodhuese, zemra, këmbë, duar, etj. Ndër objektet surprizë veçohen borsat qeramike të ujit të ngrohtë në formën e organeve trupore.

Interes ngjall fakti se shumë prej instrumentave të atëhershëm kirurgjikë vazhdojnë të përdoren, natyrisht më të sofistikuara, nga mjekët në ditët e sotme.

Sipas specialistëve, duke qenë se ndërhyrjet kirugjike atëherë bëheshin pa anestezi, mjekët u hapnin pacientëve një vrimë në kafkë për të ulur presionin e gjakut. Në ekspozitë veçohet fakti se në Greqinë e lashtë janë përdorur shumë barna mjekësore nga bimët, midis të tjerash edhe opiumi.

“Pas një orteku të substancave kimike në shekujt e XIX dhe XX u jemi kthyer përsëri shume prej këtyre bimëve. Në shekullin e XXI ne po përdorim përsëri ilaçe bimore. Në Universitetin e Kretës ka një vaksinë me përmbajtje bimore dhe jo me substanca kimike”, tregon Stampolidis.

Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur për më shumë se gjashtë muaj, të impresionon edhe me faktin se dentistët e lashtë grekë kishin krijuar që atëherë atë që sot ortopedët e quajne urë, duke përdorur tela ari nëpërmjet dhëmbëve për t’i mbajtur ato së bashku, por edhe proteza të arta që mbulonin disa prej dhëmbëve për qëllime terapeutike apo ndoshta vetëm për estetikë.

Top Channel