Forcat e policisë në Serbi dhe Bosnje kanë arrestuar mëngjesin e së premtes 15 persona në lidhje me një masakër të kohës së luftës, që traumatizoi Ballkanin dhe u kthye në simbol të kulturës së pandëshkueshmërisë, që ende sot mbron skuadriljet e vdekjes dhe drejtuesit e tyre.

Lajmin e bën të ditur “Associated Press”, sipas të cilës prokurorët nga të dyja palët, dikur armike në kohën e luftës, bashkëpunuan për të gjurmuar përgjegjësit e masakrës së 27 shkurtit 1993 në Strpci, ku 19 burra e djem u zbritën nga një tren dhe u masakruan.

Autoritetet përkatëse kryen një seri bastisjesh që çuan në arrestimin e 10 të dyshuarve në Bosnje dhe 5 të tjerëve në Serbi, përfshirë këtu vëllain e liderit të një prej milicive serbe dhe një ish-gjeneral serbo-boshnjak që komandonte ushtrinë në zonë.

“Ne jemi në rrugën e zbardhjes së një krimi që është fshehur për më se 20 vjet. Ne duhet ta bëjmë këtë për viktimat e pafajshme”, deklaroi prokurori serb për krimet e luftës, Bruno Vekariç.

Nga ana tjetër, nga të dyshuarit dhe avokatët e tyre nuk ka pasur asnjë deklaratë. Çështja është nëse ata do të nxjerrin ose jo emrat e eprorëve të tyre që urdhëruan masakrat, thonë hetuesit.

Nëse kjo ndodh, atëherë në këtë rast mund të përfshihen disa zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë serbë, që ishin figura kyçe të makinerisë luftarake të presidentit të asaj kohe, Sllobodan Millosheviç.

Por ndërsa qeveria serbe e ka pranuar rastin e Strpcit si një krim lufte, autorët e saj shihen ende nga një pjesë e popullsisë serbe si heronj. “Shumë kriminelë lufte kanë një influencë të madhe tek biznesi, politika, policia dhe ushtria”, deklaroi prokurori boshnjak, Goran Salihovic.

Sipas “AP”, ky operacion i përbashkët dhe një seri dokumentesh të siguruara më herët hedhin dritë me detaje mbi një masakër që edhe sot i ka plagët e freskëta, pasi autorët nuk u identifikuan dhe familjet nuk u kompensuan. 

Top Channel