E mitura më e bukur në botë, e ëma akuzon “pedofilët”

05/12/2014 00:00

Nëna e vajzës së mitur që është etiketuar tashmë si “vajza më e bukur në botë”, i ka quajtur “pedofilë” ata që kanë thënë se ka seksualizuar të bijën duke postuar foto provokuese të saj.

Kristina Pimenova është vetëm 9 vjeç, por është bërë tashmë një sensacion ndërkombëtar pas publikimit të fotove të saj që shkaktuan një stuhi kritikash në Facebook dhe Instagram.

Sot, e ëma e saj, Glikeriya Pimenova, që menaxhon profilet në rrjetet sociale ku u publikuan fotot, është hedhur në kundërsulm duke thënë: “Nuk i pranoj ato akuza për seksualizimin e vajzës time”.

“Jam e bindur në mendjen time se ato foto janë absolutisht të pafajshme. Nuk i kam kërkuar kurrë vajzës time të merrte këtë apo atë pozë dhe në fakt duhet të them se ajo nuk para ka qejf kur unë e fotografoj. Kështu që unë i bëj fotot me shpejtësi dhe ajo nuk e vë re”, ka thënë Glikeriya Pimenova.

Të pafajshme apo jo, fotot e publikuara kanë bërë që 9-vjeçarja Kristina të tërheqë vëmendjen e firmave prestigjoze si Armani, Roberto Cavalli dhe Beneton për ta përdorur si imazhin e tyre.

Por nëna 39-vjeçare thotë: “I bie që të mendoni si pedofilë nëse shihni diçka seksuale në ato foto, kështu që bëni mirë të takoni doktorin”.

Top Channel