La Liga, Reali për të kapur rekordin e Barçës me 18 fitore radhazi

05/12/2014 00:00

Kryesuesit e La Ligas, Real Madrid, do të kërkojnë të vazhdojnë ecurinë e tyre të pandalshme, për të barazuar rekordin prej 18 fitoresh radhazi në të gjitha kompeticionet, kur të presin Celta Vigon ditën e shtunë.

Kampionët e Europës kaluan rekordin e mëparshëm të klubit prej 15 fitoresh radhazi me triumfin ndaj Malagas fundjavën e kaluar dhe, pas një tjetër fitoreje 5-0 në Kupën e Mbretit ndaj Cornellas, “Los Blancos”-it tashmë synojnë rekordin e Barcelonës prej 18 fitoresh radhazi, të vendosur gjatë sezonit 2005-06.

Reali ka shënuar 64 gola në këtë seri fitoresh, duke pësuar vetëm 9 të tilla, por e dinë se do të përballen me një test të vështirë ndaj Celtas, e cila siguroi 3 pikë në “Camp Nou” muajin e kaluar dhe morën një barazim ndaj Atletico Madrid në shtator.

James Rodriguez, me dygolëshin e shënuar ndaj Cornellas në mesjavë, është i vetmi lojtar i Madridit që ka shënuar në të katër kompeticionet gjatë këtij sezoni dhe fillimi i tij shpresëdhënës nuk ka shpëtuar nga sytë e Ancelottit.

Ndërkohë, Barcelona do të presë Espanyolin në derbin e Katalunjës ditën e diel, në përpjekje për të shkurtuar distancën me kryesuesit, por edhe për të vazhduar më tej pas 6 fitoreve radhazi së fundi. Andres Iniesta, i cili nuk ka luajtur që kur u dëmtua në humbjen 3-1 në “El Clasico”-n e tetorit, është rikthyer në mesjavë teksa “blaugranat” kanë mposhtur 4-0 Huescan në Kupën e Mbretit, duke shënuar edhe gol pas 8 muajsh shterpësi.

Lionel Messi, Luis Suarez, Neymar, Jordi Alba dhe Sergio Busquets do të rikthehen gjithashtu të luajnë në kampionat, pas ndeshjes së mesjavës, ndërsa në portë do të aktivizohet Claudio Bravo.

Kampionët e Atletico Madrid mund të parakalojnë të paktën për një ditë, kur të udhëtojnë drejt Elches këtë të shtunë. Dy fitoret radhazi në shtëpi ndaj Malagas dhe Deportivos kanë bërë që kampionët në fuqi të qëndrojnë në garë për të mbrojtur titullin, duke qenë vetëm 4 pikë larg rivalëve të Realit, por ndryshe nga sezoni i kaluar transfertat e këtij viti nuk kanë qenë dhe aq shumë pozitive.
 
Të shtunën
Elche – Atletico Madrid
Athletic Bilbao – Cordoba
Real Madrid – Celta Vigo
Deportivo La Coruna – Malaga

Të dielën
Rayo Vallecano – Sevilla
Barcelona – Espanyol
Villarreal – Real Sociedad
Granada – Valencia

Të hënën
Eibar – Almeria
Levante – Getafe

Top Channel