Ukraina, Lavrov: Perëndimi gabon në fajësimin e Rusisë

05/12/2014 00:00

Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, kritikoi Perëndimin gjatë së premtes për ato që ai i konsideroi përpjekje të vazhdueshme për të fajësuar Rusinë për krizën e shkaktuar në lindje të Ukrainës, si dhe theksoi për të disatën herë se Moska nuk është e izoluar për shkak të atij konflikti.

Lavrov përsëriti thirrjet e Moskës ndaj Kievit për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me rebelët prorusë që luftojnë ndaj trupave qeveritare në lindje të Ukrainës, duke thënë se “është e pakuptimtë” të kërkosh zgjidhje përtej konfliktit, pa përfshirjen e separatistëve.

“Kolegëve tanë Perëndimorë, disa vendeve europiane, por Amerikës së pari e mbi të gjitha… Nëse ata duan të përpiqen të na shfaqin neve si fajtorët kryesorë, gjë që po e bëjnë vazhdimisht, iu them se kjo nuk është e drejtë dhe se kjo nuk do të funksionojë”, tha ai.

Perëndimi ka akuzuar Rusinë për dërgesat e armëve dhe të trupave në favor të rebelëve për të destabilizuar Ukrainën dhe për ta ndalur drejtimin e marrë prej saj.

Lavrov bëri thirrje gjithashtu ndaj mbështetësve perëndimorë të Kievit, përfshi këtu Francën dhe Gjermaninë, të ushtrojnë presion ndaj Ukrainës për të ndërmarrë reforma kushtetuese, nëpërmjet të cilave Moska ka sugjeruar t’u jepet rajoneve rusishtfolëse në lindje të vendit një autonomi më e gjerë.

Për të adresuar probleme të zakonshme të sigurisë në Europë, Rusia thotë se kërkon një platformë të re për dialog mes Bashkimit Europian dhe Unionit Ekonomik Euro-Aziatik, një bllok që Moska ka krijuar si një kundërpeshë e BE-së 28-kombëshe.

Disa shtete anëtare të BE-së kundërshtojnë, por Lavrov tha të premten se takimet e tij gjatë samitit dyditor të ministrave të Jashtëm të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) tregon se idea e tij po fiton popullaritet. Ai lavdëroi atë që e konsideroi si gatishmëri të Berlinit për ta diskutuar këtë gjë.

Top Channel