BE-Rusisë: Ballkani të mbetet jashtë konfrontimit Lindje-Perëndim

05/12/2014 00:00

Bashkimi Europian ka kërkuar nga Rusia këtë të premte të mos përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor në përçarjen gjithnjë e më të thelluar të saj me Perëndimin për shkak të krizës në Ukrainë, duke reflektuar kështu shqetësimin se rajoni rrezikon të bëhet një tjetër pikë e nxehtë e tensioneve Lindje-Perëndim.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përcaktuar tashmë zgjedhjen e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian, por diplomatët thonë se Rusia po shfrytëzon periudhën e vështirë ekonomike dhe ndienjat proruse mes disa prej sllavëve ortodoksë, për të krijuar influencën e saj në rajon.

Duke theksuar “tensionet” mes BE-së dhe Rusisë, shefja për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, teksa ishte në një vizitë në Bosnje-Hercegovinë, tha se ishte në interes të të dy palëve “të gjenin mundësitë për zhvillimin e rrugëve të bashkëpunimit dhe jo ato të konfrontimit”.

“Sigurisht, do të ishte një ide e mirë të mbahet Ballkani Perëndimor jashtë këtyre ngjarjeve dhe mendimeve, ndaj dhe unë pres që kushdo në udhëheqjen e Rusisë të konsiderojë këtë aspekt në të njëjtin këndvështrim”, tha ajo në një konferencë për shtyp.

Gjermania, veçanërisht, i ka bërë të qarta shqetësimet mbi rolin e Rusisë në Ballkan, një rajon që mbetet ende i brishtë politikisht dhe ekonomikisht, edhe 2 dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë.

Ndërkohë që Sllovenia dhe Kroacia janë bërë tashmë anëtarë të BE-së, zgjerimi i unionit 28-kombësh me shtete si Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Bosnja, është ngadalësuar për shkak të zvarritjes së reformave, por edhe për shkak të shqetësimeve të vetë BE-së për “probleme” me zgjerimin e mëtejshëm.

Diplomatët perëndimorë janë veçanërisht të shqetësuar për shenjat e servilosjes së influencës ruse në Serbi, si dhe mes përfaqësuesve të etnisë serbe në Bosnje, të cilët kanë besim ortodoks ashtu sikurse dhe të krishterët rusë.

Top Channel