Kanada, ligj “kontrovers” që kriminalizon “blerësit e seksit”

05/12/2014 00:00

Meshkujt që shfrytëzojnë prostitutat në Kanada mund të përballen me 5 vjet heqje lirie, sipas ligjeve të reja kontroverse, të cilat kriminalizojnë “blerjen e seksit”, apo të paguarin për të kryer marrëdhënie seksuale.

Aktivistët e të drejtave të grave thonë se reforma, e cila hyri në fuqi të shtunën, do të ndihmojë femrat që punojnë si prostituta, si dhe do të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore për shfrytëzim prostitucioni. Por, ligji ka irrituar edhe vetë punonjëset e seksit, të cilat thonë se tashmë do të vihen përballë një rreziku edhe më të madh.

Kanadaja ndoqi Suedinë, Norvegjinë dhe Islandën në prezantimin e ligjeve të hartuara për të ndëshkuar klientët, pa kriminalizuar ato që detyrohen të prostituojnë. Franca, Irlanda e Veriut dhe Republika e Irlandës kanë hartuar gjithashtu ligje të ngjashme.

“Prostituimi është një praktikë e natyrës shfrytëzuese, e nxitur edhe nag kërkesa e atyre që paguajnë shërbime të tilla”, tha ministri kanadez i Drejtësisë, Peter MacKay.

Reforma e konsideron ende të ligjshme prostitucionin, por ndalon përfitimin prej prostituimit të të tjerëve, përfshi rastet përmes agjencive të shoqërimit, salloneve të masazheve apo edhe klubeve të striptizmit. Dënimi maksimal është 10 vjet burgim, apo 14 vjet nëse viktima është ende fëmijë.

Gjithsesi, disa grupe të punonjëseve të seksit thonë se ligji i ri, i cili synon gjithashtu të kufizojë prostitutat nëpër rrugë, do t’i detyrojë ato të punojnë të fshehje të plotë, duke detyruar femrat të punojnë nëpër zona të izoluara dhe duke i vendosur ato në një rrezik edhe më të madh.

Top Channel