OKB, ekspertët e të drejtave humane: Të rishikohen praktikat policore

05/12/2014 00:00

Ekspertët e të drejtave të njeriut në OKB bënë thirrje këtë të premte për ndaljen e profilizimit racor nga oficerët amerikanë të zbatimit të ligjit, si dhe për një rishikim të paktikave dhe ligjeve që u lejojnë policisë të përdorin forcën vdekjeprurëse.

Ekspertët e pavarur shprehen të keqardhur që juritë gjyqësore në Shtetet e Bashkuara kanë dështuar të dënojnë oficerët e policisë që kanë vrarë 2 adoleshentë me ngjyrë të paarmatosur, në dy incidente të veçanta, gjë që ka shkaktuar protesta masive në SHBA.

Duke i çuar për shqyrtim gjyqësor rastet e Michael Brown, në Ferguson të Missourit, dhe Eric Garner në Nju Njork, do të nxirrte në dritë të gjitha faktet dhe do të lejonte drejtësinë të merrte kursin e vendosjes së drejtësisë, thanë ata në një deklaratë.

“Jam i shqetësuar nga vendimet e jurive gjyqësore, por edhe provat e shfaqura deri më tani të konflikteve, në lidhje me të dyja incidentet”, tha Rita Izsak, një raportuese speciale e çështjeve të minoriteteve në OKB.

“Vendimet kanë lënë shumë persona me shqetësime ligjore, në lidhje me modelin e pandëshkueshmërisë kur viktimat e përdorimit të tepruar të forcës janë nga komunitetet e pakicave, si afro-amerikanët apo të tjerët”.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Eric Holder, ka kërkuar një rishikim të të drejtave të njeriut pas vrasjes në Missouri, si dhe ka premtuar një hetim të plotë në rastin e Nju Jorkut.

Mutuma Ruteere, një përfaqësues kenian, i cili shërben si raportues special në OKB për format bashkëkohore të racizmit, bëri thirrje për veprim përballë atyre që ai i quajti si prova të praktikave diskriminuese, përfshi profilizimin racor nga oficerët e policisë. “Të tilla praktika duhen çrrënjosur”, tha ai.

Ligjet ndërkombëtare lejojnë përdorimin e forcës vdekjeprurëse vetëm kur është tmerrësisht e nevojshme për të mbrojtur jetë, tha Christof Heyns, një raportues special në OKB për rastet jashtëgjyqësore apo ekzekutimet arbitrare.

“Ligjet në shumë prej shteteve të SHBA-ve janë shumë tolerante, duke krijuar kështu një atmosferë ku nuk ekzistojnë mjaftueshëm kufizime për të përdorur forcën. Një rishikim gjithëpërfshirës i sistemit është i nevojshëm: mundësimi i ligjeve, llojeve të armëve të përdorura nga policia, trajnimi që ata marrin dhe përdorimi i teknologjive, si përdorimi i kamerave në trup për të siguruar përgjegjësinë”, tha Heyns.

Top Channel