‘Orion Mars’ kryen me sukses testin e parë

05/12/2014 00:00

‘Orion Mars’ kaloi me sukses testin e parë, atë të ngritjes dhe fluturimit në hapësirën e thellë dhe rikthimit sërish në tokë.

E konsideruar si një hap gjigant në përpjekjet për të dërguar njeriun e parë në planetin Mars, anija kozmike e NASA-s përmbylli misionin në orën 17:30 minuta me orën tonë.

Agjencia amerikane e hapësirës doli menjëherë me një deklaratë ku tha se i gjithë fluturimi dhe testimi ishte perfekt, pikërisht ashtu sic ishte planifikuar.

Pas manovrave të kryera në orbitën e largët, ‘Orion Mars’ u nis drejt atmosferës së planetit tonë. Me të prekur atmosferën menjëherë u aktivizuar mekanizmi i tri parashutave të mëdha që e zbritën në ujërat e Oqeanit Paqësor pranë brigjeve meksikane ku e prisnin anijet amerikane.

Anija kozmike është projektuar prej NASA-s për të transportuar njerëz përtej Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, si në Hënë dhe Mars.

Testi konsiderohet si një hap i madh drejt arritjes së objektivit që është dërgimi i njeriut në Mars.

Top Channel