Kinë, arrestohet dhe përjashtohet nga partia ish-shefi i sigurisë

05/12/2014 00:00

Autoritetet kineze kanë arrestuar ish-shefin e sigurisë Zhou Yongkang, zyrtarin më të lartë kinez që hetohej për korrupsion, si dhe e kanë përjashtuar atë nga partia Komuniste në pushtet, duke e akuzuar atë për një sërë krimesh, nga marrja e ryshfetit deri te nxjerrja e sekreteve shtetërore, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” ditën e shtunë.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia kineze gjatë mesnatës, byroja politike, organi më i lartë vendimmarrës në parti, njofton se çështja e Zhout është dorëzuar në autoritetet e drejtësisë, duke përgatitur gjithçka për nisjen e gjykimit të tij.

Zhou, 71 vjeç, është deri më tani figura më e lartë politike e vënë në qendër të fushatës antikorrupsion të Presidentit Xi Jinping, si dhe rezulton zyrtari më i lartë kinez i përfshirë në një skandal marrjeje ryshfeti, që kur partia Komuniste erdhi në pushtet në vitin 1949.

Prokuroria Supreme e Popullit, trupa hetimore më e lartë në Kinë, njoftoi se ka hapur procesin formal të hetimit ndaj tij. Përpara se të dilte në pension, dy vjet më parë, Zhou ka qenë kreu i Aparatit të gjerë të Sigurisë së Brendshme. Shumë prej ndihmësve të tij dhe të afërmve do të përballen gjithashtu me akuza për korrupsion.

Më saktësisht, Zhou akuzohet për krime të tilla si “shkelje serioze të disiplinës së partisë”, “pranimin e shumave të mëdha të ryshfetit”, “zbulimin e sekreteve të partisë dhe të shtetit”, si dhe “tradhëti bashkëshortore me disa gra”, si pjesë e transaksioneve të korruptuara.

Top Channel