Një ‘Pasdite’ me Margarita Xhepën

05/12/2014 00:00

Margarita Xhepa ishte e ftuara e radhës në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku foli për filmin e ri ku ka interpretuar, karrierën e saj të gjatë dhe për kinemanë shqiptare në ditët e sotme.

Filmi ‘Diptik’ – Është një film me metrazh të shkurtër, me një skenar interesant të Artan Minarollit dhe që trajton problemet sociale që na rrethojnë, për këtë arsye e pranova rolin. Kasti i aktorëve krijoi një atmosferë shumë të ngrohtë familjare dhe filmi u prit mirë nga spektatorët. Është një film me emocion dhe u interpretua shumë mirë nga aktorët. Kjo është meritë e regjizorit Ilir Harxhi.

Pasioni – Brezi ynë kishte pasionin, nuk e shihte kinemanë për përfitim financiar. Edhe figuranti vinte për të xhiruar pa para’. Sot janë raporte të tjera. Ndoshta nuk kemi mundësi për filma me metrazh të gjatë, por ka mundësi për të bërë seriale. Artistët e rinj kanë shumë dëshirë për të bërë filma, kemi aktorë të talentuar, por duhet një skenar i mirë, me mesazhe interesante. Unë mendoj se ana financiare po pengon shumë artin kinematografik në vendin tonë.

Përgatitja për një rol
– Përgatitja është gjëja më e bukur për një artist. Sapo marr një rol, duket ndryshimi te mua. Provat për personazhin nuk bëhen vetëm në teatër, por edhe në rrugë e në shtëpi. Për 1-2 muaj mësoj tekstin, por edhe dëshirën dhe ndjenjat e personazhit duke e ndërtuar atë.

Ofertat – I jam shumë mirënjohëse regjisorëve pasi gjithmonë më kanë ofruar role në teatër dhe filma. I falenderoj që më kanë angazhuar në role klasike, por edhe bashkëkohore. Kam refuzuar edhe në disa raste pasi nuk e kam ndjerë rolin, nuk më ka shkuar për shtat.

Bashkëpunimi me regjisorët
– Është i domosdoshëm. Ka pasur raste kur i kam kërkuar llogari për shkurtimin e rolit. Gjithçka bëhet për hir të punës.

Sekreti i bukurisë – Dhuratë nga prindërit. Unë gjithmonë kam bërë një jetë modeste. Kam një këshillë për aktoret e reja të bukura: mos luani të bukurën në skenë pasi atë e keni me vete, kryesorja është përmbajtja dhe duhen luajtur rolet dramatike.

Top Channel