Identifikimi i viktimave në trafikimin e qenieve njerëzore është problemi kryesor, me të cilin përballet Maqedonia në betejën kundër këtij fenomeni.

Sipas të dhënave të policisë, në të shumtën e rasteve viktima të trafikimit janë fëmijët dhe vajzat e mitura. Ministrja e Brendshme në Shkup, Gordana Jankulovska, tha se lufta kundër këtij fenomeni kërkon angazhim dhe aktivitete të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse.

“Institucionet kanë identifikuar 8 viktima të trafikimit të njerëzve, prej tyre 6 të moshës së mitur dhe 2 të moshës së rritur, 7 prej tyre janë gra dhe njëri i gjinisë mashkullore. Sipas hulumtimeve tona, shfrytëzimi seksual dhe shfrytëzimi në punë mbeten format më të pranishme në këtë sferë të krimit”, tha Gordana Jankulovska, ministre e Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore është përfshirë edhe Ministria e Punës dhe Politikave Sociale në Shkup, përmes forcimit të masave ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

“Të dhënat flasin se fëmijët janë kategoria më e prekur nga ky fenomen. Në të shumtën e rasteve, ata janë fëmijë me shtetësi maqedonase, të gjinisë femërore nga 14-17 vjeç. Shfrytëzimi seksual dhe ai në punë paraqesin numrin më të madh të rasteve të trafikimit të fëmijëve”, tha Dime Spasov, ministër i Punës dhe Politikave Sociale.

Beteja institucionale kundër trafikimit po mbështetet edhe nga shoqëria civile, e cila ka ndërmarrë një fushatë për ndërgjegjësimin e të rinjve, me qëllim identifikimin sa më të lehtë të viktimave nga trafikimi i qenieve njerëzore.

Top Channel