Obama zyrtarizon Ashton Carter, si Sekretar të Mbrojtjes

05/12/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama e ka bërë tashmë zyrtare kandidaturën e ish-zyrtarit të Pentagonit, Ashton Carter, në postin e Sekretarit të ri të Mbrojtjes.

Carter ka qenë dikur shef i blerjes së armëve në Pentagon dhe ndihmës/Sekretar i Mbrojtjes nën presidencën e Bill Clintonit.

Nominimi i tij në këtë post, duke zëvendësuar kështu Chuck Hagelin në largim që dha dorëheqjen muajin e kaluar, tashmë kërkon miratimin e Senatit amerikan të udhëhequr nga republikanët.

Carter zotëron një doktoraturë në Teori Fizike nga Oksfordi.

“Nuk përballemi me asnjë mungesë sfidash ndaj sigurisë tonë kombëtare”, tha Obama të premten, teksa ka lavdëruar periudhën mëse 30-vjeçare të Carterit në shërbim të vendit. “Ai do të jetë kritik ndaj të gjitha këtyre përpjekjeve”.

Carter e konsideroi nominimin si një “nder dhe privilegj”, si dhe i premtoi Presidentit Obama këshillat “më të sinqerta” strategjike dhe ushtarake.

Hagel dha dorëheqjen pas afro 2 vjetësh në krye të këtij posti, e siç raportohet nën presion për t’u larguar. Pas fjalimit të tij të dorëheqjes në nëntor, Hagel e cilësoi gjithashtu mbajtjen e këtij posti si “privilegjin më të madh” të jetës së tij.

Edhe pse mungonte në shpalljen e kandidaturës në Shtëpinë e Bardhë, Hagel bëri një deklaratë ku e konsideronte Carterin “një patriot dhe një lider”, duke shtuar se ai e mbështët “fuqimisht” kandidaturën e tij.

Veterani i luftës së Vietnamit dhe ish-senator republikan, 68-vjeçari do të qëndrojë në postin e Sekretarit të Mbrojtjes, deri kur Carter të konfirmohet nga Senati. Nga sa bëhet e ditur, ai është detyruar të largohet për shkak se ishte kritik i ashpër ndaj strategjisë së SHBA-ve kundër Shtetit Islamik dhe kundër regjimit sirian.

Top Channel