Bushati: Kosova të bëhet anëtare e OSBE

05/12/2014 00:00

Me gjithë praninë më të madhe në terren që OSBE ka në Kosovë, ky shtet nuk ia ka dalë të afrohet në këtë organizatë.

Anëtarësimi me të drejta të plota në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë është kërkuar në ministerialin e mbajtur në Bazel të Zvicrës, nga ministri ynë i Jashtëm Ditmir Bushati, në prag të marrjes së presidencës së radhës nga Serbia, që deri tani ka refuzuar anëtarësimin e Kosovës.

Kërkesa për anëtarësimin e Kosovës nga ministri Bushati është bërë paralelisht me kërkesën për një rol të rritur të OSBE-së, në monitorimin dhe nxitjen e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në rajon.

Megjithatë, Shqipëria dha mbështetjen për presidencën serbe, por me parakushtin që politika e Jashtme e Beogradit të njehsohet me atë të Bashkimit Europian, për të garantuar kryesim të drejtë dhe të balancuar të presidencës së OSBE nga ky shtet.

“Gjithashtu kam kërkuar me forcë afrimin e Kosovës me OSBE-në, pjesëmarrjen e saj me formate të ndryshme të kësaj organizate, me frymën e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në frymën e angazhimeve të Kosovës dhe anëtarësimeve të tjera në nisma rajonale, europiane dhe ndërkombëtare, me qëllimin përfundimtar: anëtarësimin e plotë të Kosovës në OSBE”, u shpreh ministri i Jashtëm Bushati.

Ministeriali i OSBE, që ka mbledhur krerët më të lartë të diplomacisë së vendeve anëtare, përgjatë dy ditëve pati në fokus çështjet e sigurisë europiane dhe më gjerë, pas kërcënimeve të reja, veçanërisht pas krizës ukrainase.

Gjatë këtij ministeriali, ministri i Jashtëm zhvilloi takime dypalëshe me ministrin e Jashtëm turk, që deklaroi se do të vijë në Tiranë në fillim të 2015-s; me homologun izraelit, me të cilin Bushati foli për mundësitë e reja të zgjerimit të kapitalit izraelit në Shqipëri; ndërsa me homologun e Azerbajxhanit për perspektivën e re që hapet me realizimin e projektit TAP.

Top Channel