Biznesi kundër “burgut”, Bregasi: Ka elemente të tjerë që nxisin edukimin fiskal

06/12/2014 00:00

I ftuar në Revistën Televizive të Mbrëmjes në Top Channel, Luan Bregasi, Presidenti i ‘Business Albania’, ka komentuar deklarimet e qeverisë për arrestimin e sipërmarrësve në rastet kur nuk paguajnë taksat apo kontributet e punonjësve.

Gjithashtu Bregasi foli edhe për marrëdhëniet e biznesit me qeverinë dhe për pritshmëritë në 2015-ën.

***
Pandi Gjata: Fjalën ‘burg’ e kemi dëgjuar shpesh këto ditët e fundit të përdorur nga ministra dhe vetë Kryeministri Rama, jo vetëm për ata që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo vjedhin energjinë, por është përdorur edhe për biznesin dhe sipërmarrjen në rast të mospagimit të taksave apo të mospagimit të sigurimeve shoqërore për punonjësit e tyre. Qeveria argumenton se është një skemë për të vendosur rregullin e një shteti ligjor. Ju si përfaqësues i një grupimi të madh biznesi si e keni parë këtë?

Luan Bregasi: Dua të them se gjatë këtij një viti e gjysmë ka një frymë tjetër të marrëdhënieve të biznesit me qeverinë dhe me vetë Kryeministrin, i cili ka implementuar në të gjitha strukturat shtetërore një frymë solidariteti dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen private, duke e vlerësuar dhe duke e vënë në piedestalin që meriton atë. Sipërmarrja private ka sot rreth 85% të prodhimit të përgjithshëm bruto dhe rreth 90% të të gjithë të punësuarve. Kështu që mua më ka rënë si një rrufe në një kohë me diell, një relaksim total të këtyre marrëdhënieve. Megjithatë mendoj që nuk është kjo mënyrë që mund të formalizohet sipërmarrja private. Kjo është një betejë midis shtetit dhe sipërmarrjes, e cila ka ardhur duke u rritur dhe duke u formalizuar. Një rast konkret: ka 82 mijë të rinj të punësuar, nga të cilët 40 mijë janë të formalizuar nga tregu aktual dhe pjesa tjetër janë të punësuar të rinj. Kjo tregon një tendencë pozitive, në rritje të vetë deklarimit, të vetë punësimit dhe të sigurimit të punonjësve në sektorin privat.

Pandi Gjata: A mendoni se para se mbërrihej të fjala ‘burg’ ndoshta duhet të funksiononin edhe instrumenta të tjerë, të cilët mund të kontrollonin këtë situatë?

Luan Bregasi: Fjala ‘burg’ është shumë e rëndë për një sipërmarrës. Sipërmarrja e ka mbështetur operacionin e energjisë elektrike sepse humbjet kanë qenë shumë të mëdha. Një sipërmarrësi që ka marrëdhënie të plota me taksat, që ka garanci bankare për çdo veprimtari ekonomike, ka elementë të tjera që e nxisin atë të shkojë drejt edukimit fiskal.

Pandi Gjata: E frikëson sipërmarrësin vendas apo atë të huaj?

Luan Bregasi: Sigurisht që nuk është mirë, por kodi i procedurës tatimore parashikon edhe burg për një sipërmarrës që bënë evazion në fushën e tatim taksave, por gjithsesi unë mendoj që nuk është një lajm i mirë për sipërmarrjen. Edhe ne jemi për forcimin e ligjit nëpërmjet gjobitjes, por shmangien e burgosjes së menjëhershme të një sipërmarrësi. Shumë rrallë në botë mund të shohësh që një sipërmarrës mund të burgoset, vetëm në raste të evazioneve fiskale të mëdha.

Pandi Gjata: Është miratuar paketa e re fiskale. Sa prej propozimeve tuaja u morën në konsideratë nga qeveria?

Luan Bregasi
: Në Këshillin Ekonomik Kombëtar ne bëmë goxha debate për të gjitha fiskalitetet. Qeveria mori parasysh një pjesë të mirë të propozimeve që kanë lidhje, sidomos me administrimin e sistemit të taksave dhe ky është një lajm i mirë për biznesin. Ka disa lehtësira në fushën e administrimit fiskal. Ajo që u diskutua shumë gjatë të sipërmarrja ishte rritja e taksës mbi të ardhurat, kryesisht të siguruara nga interesat bankare. Unë e kam shpjeguar konceptin tim për këtë çështje. Për të nxitur investimet dhe për të demoralizuar qytetarët për të vënë kapitalin e tyre në banka. Janë 10 miliardë euro të qytetarëve në banka. Interesat e larta nëpër banka dhe taksimi i ulët i tyre i ka nxitur qytetarët që të depozitojnë në banka dhe shumë prej tyre jetojnë me interesat bankare dhe nuk futen në sipërmarrje të vogla. Sigurisht që jo të gjitha kërkesat tona janë marrë parasysh, për shembull në bëmë një kërkesë për të ulur TVSH në turizëm, por kjo nuk u mor parasysh, pasi FMN solli pengesa.

Pandi Gjata: Çfarë sugjeroni dhe çfarë duhet bërë kujdes në vitin e ardhshëm për sa i përket investimeve publike apo edhe stimujve nxitës?

Luan Bregasi: Së pari, investimet publike duhet të realizon. Kjo qeveri duhet t’i kushtojë më shumë kujdes realizimit të planit të investimeve. Ky vit tregoi se mjaft investime nuk u realizuan, kjo nuk është e mirë për ekonominë. Paratë që mblidhen nga sistemi i taksave dhe nga doganat duhet të rihidhen në treg në formën e investimeve. Së dyti, të shikohet mundësia e uljes së shpenzimeve administrative, të cilat janë kosto të larta dhe janë në kurriz të sipërmarrjes private. Gjithashtu edhe tenderat duhet të bëhen në mënyrë sa më reale që të kursehen edhe fonde nga konkurrimi.

Pandi Gjata: Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë, a ka dalë ajo nga vështirësia e likuiditeteve?

Luan Bregasi: Qeveria ‘Rama’ i kushtoi kujdes kthimit të borxheve që qeveria e mëparshme i kishte biznesit. Sigurisht që këto borxhe nuk janë kthyer të gjitha, janë edhe 800 milionë euro detyrime. Deri tani janë kthyer rreth 300 apo 400 milionë dhe është premtuar se do të kthehet e njëjta sasi edhe në vitin që vjen. Unë mendoj që këto para e kanë relaksuar tregun, e kanë relaksuar edhe marrëdhënien e bankave me kompanitë të cilat kishin mjaft detyrime. Po kështu edhe sjellja e mirë e administratës tatimore dhe doganore me biznesin i ka relaksuar këto marrëdhënie. Duhet ta themi që ka më pak gjoba për sipërmarrjen private, ky është një lajm shumë i mirë.

Pandi Gjata: A është një klimë e mirë në Shqipëri për të bërë biznes krahasuar me vendet e tjera të rajonit? Cili është perceptimi i biznesit?

Luan Bregasi: Këtu ka avantazhe, por vendet e rajonit kanë krijuar më shumë atraksione në lidhje me sistemin e taksave, sidomos Maqedonia. Sigurisht që edhe ne ja kemi bërë këtë kërkesë qeverisë për të pasur më shumë politika fiskale, në mënyrë që të nxisin investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri. Kostoja e fuqisë punëtorë në Shqipëri vazhdon të jetë e ulët.dhe burokracitë janë ulur. Gjatë kësaj periudhe sjellja e qeverisë ka qenë e favorshme të thithur investime të huaja.

Pandi Gjata: Në këtë periudhë, një vit e disa muaj, një element lidhës kanë qenë edhe zyrat e punës të hapura gjatë kësaj kohe. A mendoni se kanë dhënë efekte këto zyra punësimi dhe a keni parë politika për të nxitur punësimin te sipërmarrësit?

Luan Bregasi: Këtë gjë e kemi bërë me shumë pasion dhe shumë dëshirë. Nuk kemi hapur zyra vetëm për t’u dukur se biznesi po ndihmon qeverinë, por këto  shërbejnë si një pikë kontakti midis punëdhënësit dhe punëkërkuesit. Dikur këto zyra ishin në vende që nuk gjendeshin. Po e them sinqerisht, unë nuk e dija se këto zyra ekzistonin. Shumë biznese në disa qytete lidhen me zyrat e punës. Të gjithë të punësuarit e mi janë gjetur në zyrat e punësimit në Durrës. Unë mendoj që është bërë një punë shumë e mirë dhe rezultati është konkret.

Pandi Gjata: Si e shikoni vitin 2015 për biznesin dhe ekonominë shqiptare?

Luan Bregasi: Absolutisht që e shoh një ecuri pozitive, pasi edhe buxheti është më i mirë dhe biznesi mori disa para nga qeveria, edhe bankat kanë filluar të lëshojnë para, pasi janë shlyer disa detyrime. Gjithashtu është premtuar se shteti do të japë rreth 30-40% të borxheve kompanive të energjetikës. Duket një situatë optimiste dhe shpresojmë se do të jetë një vit i mirë për ekonominë e vendit.

Top Channel