Kryeqyteti me sytë nga derbi

06/12/2014 00:00

Afron Partizani-Tirana dhe vëmendja fokusohet si rrallë herë në kampionatin shqiptar, në atë të zhurmshmin, të dhunshmin, por edhe të bukurin dhe historikun, ashtu siç është ky derbi mes dy prej klubeve më të mëdha të futbollit tonë.

Partizani në pozicionin e pritësit të këtij derbi, këtë herë në krye të Superiores, karakterizohet nga një klimë pozitive dhe entuziazmi.

Pasi janë spostuar disa kilometra larg kryeqytetit, në qendrën e tyre stërvitore, skuadra e kuqe fillon programin e saj normal stërvitor, sepse – siç thotë vetë trajneri Duro – derbi, si një ndeshje kampionati, ka të njëjtin ritëm stërvitjeje me ndeshjet e tjera, edhe pse motivimi është i dyfishuar.

“Ndeshjet derbi sidomos ato Partizani-Tirana, që në kohën kur luanim ne nuk ka pasur nevojë për karikim apo motivim, sepse dihet rëndësia e këtij derbi. Ende më shumë ky i tanishmi, pasi jemi në pozitat e kryesuesit, ndaj dhe nuk ka shumë nevojë për motivim për skuadrën. Patjetër që skuadra jonë është e re, kanë ardhur edhe nga jashtë Shqipërisë, por në momentin që kanë firmosur kontratën me Partizanin, për të krijuar një ide të qartë, unë gjithmonë i kam shfaqur pamje të derbit të vjetshëm Tirana-Partizani, për të krijuar efektin e rëndësisë së kampionatit shqiptar dhe veçanërisht kësaj ndeshjeje”, u shpreh Shpëtim Duro, trajner i Partizanit.

Dhe, pas tensioneve të kohëve të fundit, probleme këto që lidhen më tepër me tifozët e Tiranës, Partizani duket të jetë edhe nismëtare për të lejuar tifozët bardheblu, gjithmonë në kuadrin e të kontribuuarit në spektaklin e një ndeshjeje derbi.

“Edhe kjo ndeshje, e shoh që është një sfidë që mezi pritet nga opinioni kryeqytetas, por më duhet të them se e shikoj si një ndeshje brenda kufijve sportivë”, tha më tej Duro.

Partizani është i plotë për këtë ndeshje. I vetmi që mungon është mbrojtësi Vrapi, i pezulluar prej kartonëve, ndërsa të tjerët janë në gjendje optimale. Fitoret e fundit të Partizanit i kanë dhënë një besim më të madh në vetvete, pas asaj periudhe të vështirë psikologjike në fillim, e situata duket më e qetë, mbi të gjitha për portierin Hoxha.

Ndarja nga e jeta e bashkëshortes së tij ka shokuar të gjithë ambientin e futbollit shqiptar dhe jo vetëm, gjithsesi Albani ka ende në duar mrekullinë e çiftit Hoxha, djalin, i cili dy ditë më parë u bë njëmuajsh, dhe sigurisht një arsye edhe më të fortë për të, për të besuar se jeta vazhdon tashmë madje me një përgjegjësi edhe më të madhe, atë të një babai.

“Kam djalin dhe me të merrem gjatë gjithë ditës, mundohem të qetësohem. Megjithatë, stafi, tifozët dhe presidenti Demi familjarisht më kanë qëndruar shumë pranë. Sot është bërë njëmuajshe, është si fëmijët e tjerë. Grindet pak në shtëpi, por mundohem ta mbaj sa më afër dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme, ishte hera e parë që e provoja, por është njëkohësisht më e madhja. Mezi pres që të shkoj në shtëpi ta shoh sërish. Emri Beko është ka qenë i babait tim që nuk jeton më, dhe ishte një emër që ishte menduar shumë vite më parë”, u shpreh portieri Alban Hoxha.

Në kampin bardheblu, lajmi i rikthimit të tifozërisë, edhe pse ndoshta vetëm për këtë ndeshje për të vazhduar më pas dënimin, ka rikthyer entuziazmin e zbehur pas barazimit me Laçin. Bardheblutë kanë gjithashtu të gjithë skuadrën në dispozicion për këtë ndeshje, ndaj dhe atmosfera pozitive e grupit është e dukshme.

Përpara se të ishte trajner i Tiranës, Magani ka shijuar atmosferën e derbit të kryeqytetit si lojtar i Partizanit, por në këtë rol përballimi i emocioneve është i ndryshëm.

“E vetmja gjë e veçantë është që këtu punojmë vetëm taktikisht, duke mos punuar fare sa i përket mobilizimit të skuadrës apo për të rritur adrenalinën që lojtarët të japin gjithçka në fushën e lojës. Derbi e ka vetë brenda karikimin. Të dyja skuadrat janë rivale të përjetshme por kuptohet në luftën sportive”, deklaroi Gugash Magani, trajner i Tiranës.

Gjithsesi, ajo që i ka mbetur peng Maganit mbetet goli i Nexhipit, në derbin e parafundit në kohën shtesë, pasi sipas tij në atë ndeshje edhe Zoti ishte me Partizanin.

“Në këto momente unë jam në bankinë dhe derbi përjetohet ndryshe nga këtu. Në fushë, gjithë emocionet e përpara ndeshjes nxirren duke vrapuar dhe duke marrë instruksionet e fundit, ndërsa në bankinë është krejt tjetër, duhet të lexosh sfidën dhe të marrësh vendimet e tua për të marrë nga skuadra më të mirën e saj. Te derbi i fundit i kam thënë lojtarëve të mi që të vonin lojën se edhe 1 minutë lojë kishte. Ajo gjë nuk ndodhi, sepse edhe Zoti ishte me Partizanin atëherë. Sa i përket kundërshtarit, mund të them se e vlerësojmë, por nuk jemi aspak inferiorë ndaj tyre. Ndaj do të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen”, përfundoi Magani.

Top Channel