Dortmundi i largohet fundit dhe shpreson për Champions

06/12/2014 00:00

Në ndeshjen hapëse të javës së 14 të Bundesligës Dortmundi ka arritur një fitore me mjaft vlera me rezultatin 1-0 ndaj Hoffenheim, duke u larguar nga vendi i fundit i kampionatit që mbajti gjatë kësaj jave.

Në këtë ndeshje përveç tri pikëve, Jurgen Klopp rigjeti edhe mesfushorin Gundogan, i cili ishte edhe autori i golit të vetëm në minutën e 17 të ndeshjes. Me këtë gol të realizuar, duket se Ilkay e ka kaluar plotësisht atë dëmtim që e detyroi të qëndronte për gati 15 muaj jashtë fushave të blerta.

Verdhezinjtë arritën të shënonin edhe një tjetër gol në pjesën e dytë, por arbitri anësor gaboi me vendimin e tij duke anuluar një gol mëse të rregullt të Aubameyang për pozicion jashtë loje.

Pas kësaj fitoreje Dortmundi është ngjitur në kuotën e 14 pikëve, duke u larguar nga vendi i fundit dhe tashmë nëse ecuria do të jetë pozitive të besuarit e Klopp kanë të gjitha të drejtat për të pretenduar për një vend në Champions, duke pasur parasysh faktin që gjenden vetëm 7 pikë nga vendi i katërt në klasifikim.

Top Channel