Testimi, mbi 8 mijë mësues në provë. Rama: Godasim korrupsionin

06/12/2014 00:00

Në 29 shkolla të  12 qarqeve të vendit është zhvilluar testimi i mbi 8 mijë kandidatëve për mësues të cilët aplikojnë për 2765 vende të lira pune.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla kanë zgjedhur shkollën 9-vjeçare ‘Bajram Curri’ në Durrës për të ndjekur nga afër testimin e mësuesve, por edhe për t’u siguruar se procesi është kryer brenda të gjitha kritereve të sigurisë.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se ky testim do të kryhet çdo vit dhe në bazë të rankimit përcaktohet edhe shkolla ku do të punësohen mësuesit.

“Çdo vlerësues do të ketë përpara një test të sekretuar dhe publikimi i të gjitha listës fituese do të bëhet përmes ID duke ruajtur konfidencialitetin. Është përgjigjja që i japim korrupsionit, duke krijuar një sistem të shëndetshëm, korrupsionit të emërimeve pa kriter dhe sigurisht politike shpesh herë në arsim, për të kthyer cilësinë dhe autoritetin e figurës së mësuesit”, tha Ministrja Nikolla.

Kryeministri Edi Rama tha se ky sistem i ri, i jep fund emërimeve politike dhe korruptive të mësuesve, çka rëndonte mbi cilësinë e nxënësve dhe të arsimit.

“I japim një përgjigjje shumë të fortë dhe të prerë korrupsionit duke ndërtuar një sistem transparent konkurence, vlerësimi sipas meritës dhe duke bërë të pamundur që përmes rrugëve të tjera dikush të kapërcejë tjetrin, sepse kalsifikimi i këtij testimi do të jetë baza mbi të cilën çdokush do të mund të marrë një detyrë në sistemin arsimor. Kështu do të zëvendësojmë 2 mijë e kusur mësuesit që ishin pa diplomë dhe jashtë profilit, jo më me dorën e drejtorëve por në bazë të këtij testi kombëtar”, deklaroi Kryeministri Rama.

Testimi i mësuesve ka nisur në orën 11, ka vijuar 2 orë dhe është kryer në kushte të plota sigurie. Testet të cilat janë të sekretuara do të vlerësohen në Tiranë nga një grup ekspertësh dhe mësuesish të përzgjedhur nga Ministria e Arsimit.

Më 22 dhjetor do të përfundoje korrigjimi i testeve dhe rankimi i mësuesve mbi bazen e numrit identifikues dhe do të publikohet në faqen e Ministrisë së Arsimit.

Top Channel