Vrasja e afro-amerikanit, një juri do vendosë për policin

06/12/2014 00:00

Një jurie në Shtetet e Bashkuara do t’i kërkohet të vendosë nëse do të ndiqet penalisht një efektiv policie në New York për vrasjen e një afro-amerikani të paarmatosur në Brooklyn.

Akai Gurley u qëllua me plumba në gjoks teksa ngjiste shkallët e banesës së tij muajin e kaluar. Vetëm pak ditë më parë një tjetër juri zgjodhi të mos ngriheshin akuza zyrtare kundër policit X, i cili shtrëngoi në fyt një tjetër person me ngjyrë të paarmatosur Eric Garner, duke i sjellë vdekjen. Mbarë vendi është përfshirë nga protestat në një kohë kur trazirat me fond racor kishin nisur që përpara këtij incidenti, të lidhura po me një vendim jurie për të mos ndëshkuar policin e bardhë përgjegjës për vdekjen e adoleshentit me ngjyrë Michael Brown në Ferguson të Misurit.

Qindra vetë marshuan një ditë më parë në Fifth Avenue dhe pjesë të tjera të Manhattan-it me pankarta në duar ku shkruhej: “jetët e personave me ngjyrë kanë vlerë” dhe “ nuk marr dot frymë”, fjalët e fundit të Eric Garneri-t përpara se të humbte ndjenjat e të vdiste.

Protesta pati edhe në Majemi të Floridas; në Rhode Island njerëzit bllokuan rrugët, turma demonstruesish marshuan drejt një gjykate në New Haven të Connecticut-it. Tubime pati edhe në Chicago, Washington, Denver e Boston.

Një shërbesë përkujtimore u mbajt sakaq në New York për 28-vjeçarin Akai Gurley, të qëlluar për vdekje teksa ecte me të fejuarën e tij. Komisioneri i policisë së Neë York-ut, William Bratton më vonë pohoi se Gurley ishte një viktimë krejtësisht e pafajshme.

Sipas mediave amerikane, teksa 28-vjeçari dergjej në tokë duke dhënë shpirt, polici që e qëlloi, Peter Liang në vend ta ndihmonte, nisi t`i dërgonte një mesazh në celular përfaqësuesve të tij të sindikatës.

Top Channel