Dështon operacioni, Al Kaeda ekzekuton pengun amerikan

06/12/2014 00:00

Militantët e Al Kaedas në Jemen vranë pengun amerikan Luke Somers gjatë
përpjekjeve të trupave speciale amerikane për ta liruar atë.

Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel kët ëtë shtunë i cili tha se Presidenti Obama urdhëroi ndërmarrjen e një misioni shpëtimit për Somers pasi kishte të dhëna të besueshme që jeta e tij ndodhej nën kërcënim serioz.

Bashkë me reporterin amerikan të lindur në Britani militantët kanë ekzekutuar edhe shtetasin afrikano-jugor, Pierre Korkie.

Kjo ishte përpjekja e dytë brenda dy javëve e Shteteve të Bashkuara për të liruar Luke Somers. Në sulmin e parë të forcave amerikane dhe atyre jemenite të ndërmarrë në ditët e fundit të muajit nëntor në një bazë të Al Kaedas, u vranë 7 militantë dhe u liruan 8 pengje, por mes tyre nuk ishte Luke Somers, i cili ishte zhvendosur prej bazës vetëm 2 ditë para sulmit.

Në fillim të kësaj jave, Al Kaeda shpërndau një video ku kërkonte plotësimin e të gjitha kushteve brenda 3 ditëve nga Shtetet e Bashkuara, përndryshe do të ekzekutonte Luke Somers. Kushtet e vendosura nga terroristët nuk përmenden në video, por aty thuhet se qeveria amerikani i di ato.

Më pas në video shfaqet Somers, 33 vjeç i cili lutet për ndihmë. Fushatës për lirimin e tij iu bashkangjitën edhe familjarët e tij, të cilët u kërkuan militantëve të mos fajësojnë Luke Somers për politikat e qeverisë amerikane.

Top Channel