Bojkoti i opozitës, Mediu: Zgjidhja do të vijë nga PE

06/12/2014 00:00

Republikanët japin sinjale optimiste se diçka po lëviz për të siguruar
praninë e opozitës në parlament. Zgjidhja pritet nga Parlamenti Europian
dhe me kryetarin demokrat, Lulzim Basha janë diskutuar hapat e
përbashkët politike të opozitës.

“Ka një shqetësim shumë të madh të ndërkombëtarëve dhe një angazhim të shpejtë të tyre për të zjidhur këtë ngërç politik që është në Shqipëri. Kur flas për ndërkombëtarët, flas për nivele në Parlamentin Europian. Me zonjën Bregu ne patëm takim me disa përfaqësues majtas dhe djathtas në Parlamentin Europian, të cilët kërkojnë të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështje. Por duhet patjetër të konsiderojmë që përtej një pjesëmarrjeje formale të kemi një pjesëmarrje të qënësishme, ku zëri i opozitës dhe mazhorancës është një zë që funksionon bazuar në respektimin e Kushtetutës. Ka një angazhim të parlamentarëve europianë, të cilët duan që kjo situatë politike në Shqipëri të marrë fund dhe parlamenti të funksionojë brenda kuadrit kushtetues”, deklaroi kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.

Javën e ardhshme në Bruksel do të jetë Kryeministri Rama dhe gjasat janë që këto ditë të udhëtojnë drejt Tiranës Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe Eduart Kukan, i ngarkuar në Partinë Popullore Europiane për Shqipërinë. Misioni i tyre është zgjidhja e situatës përpara djegjes së mandateve të opozitës.

“Unë nuk mendoj se është çështje mandatesh, është çështje parlamentarizmi dhe këtë e kemi shtruar dhe do të vazhdojmë ta shtrojmë. Ne duhet të zgjidhim problemin e funksionimit normal në Kuvendin e Shqipërisë, sepse nuk ka të bëjë me emrat, por me rolin e opozitës, mazhorancës dhe respektimin e Kushtetutës”, tha Mediu.

Por kur besohet se do të rikthehet në parlament opozita?

“Padyshim që ky është moment, i cili do të vijë, një moment do të diskutohet me faktorin ndërkombëtar, që do të bëhet pjesë e këtij angazhimi dhe ne pastaj, bazuar mbi këtë gjykim do të kemi vendimet e përbashkëta”, përgjigjet kreu i PR-së.

Top Channel