Greqia përkujton vrasjen e adoleshentit, akte dhune në Athinë

06/12/2014 00:00

Greqia përkujton me dhunë 6-vjetorin e ekzekutimit të 15-vjeçarit Aleksandros Grigoropulos nga një agjent i policisë.

Gjatë së shtunës forumet studentore dhe anëtarët e grupimeve të majta kanë zhvilluar protesta, të cilat kanë kulmuar në mbrëmje, me mijëra grekë që kanë sulmuar e grabitur dyqanet në qendër të Athinës.

Ata janë mbledhur pikërisht në vendin ku humbi jetën Grigoropulos dhe më pas janë përhapur në rrugët kryesore të kryeqytetit, në shenjë proteste ndaj dhunës së policisë.

Rreth 8 mijë policë ndodhen në rrugët e Athinës dhe qyteteve të mëdha të vendit, për të shmangur degradimin e situatës kryesisht nga anarkistët, që në të kaluarën jo pak herë janë konfrontuar me forcat e rendit.

Mëngjesin e së shtunës, qindra grekë vendosën lule dhe qëndruan në heshtje në vendin ku adoleshenti u qëllua dhe vdiq në duart e shokut të tij të ngushtë, Nukos Romanos, i riu që prej mëse
një muaji po zhvillon një grevë urie në një klinikë të Athinës.

Autoritetet kishin paralajmëruar ndalimin e manifestimeve në rrugët e kryeqytetit helen deri në mesditën e së shtunës, edhe për shkak të vizitës së kryeministrit turk, por kjo është injoruar prej protestuesve.

Ndërsa familjarët e Aleksandros Grigoropulos nëpërmjet një deklarate kishin bërë thirrje për qetësi dhe shmangien e akteve të dhunës.

Ekzekutimi i Grigoropulos shkaktoi një periudhë dhune ekstreme në rrugët
e Greqisë dhe shënoi fillimin e rënies së qeverisë së atëhershme të
Kostas Karamanlis.

Gjatë ditëve të dhunës që pasuan vrasjen e 15-vjeçarit, qindra dyqane
dhe makina u shkatërruan, ndërsa ngjarja tragjike i shtoi Greqisë edhe
krijimin e një numri organizatash ekstremiste të cilat filluan një valë
bombëvëniesh dhe sulmesh ndaj objekteve qeveritare.

Top Channel