ISIS, Irani konfirmon sulmet ajrore

06/12/2014 00:00

Irani konfirmoi sulmet ajrore kundër ISIS në Irakun fqinj, duke sqaruar se mësymja është bërë me kërkesë të autoriteteve irakene.

Gazeta britanike “The Guardian” citon zv/ministrin e Jashtëm iranian, Ebrahim Rahimpour të pohojë se sulmet nuk ishin koordinuar me Amerikën, e cila udhëheq fushatën ajrore të koalicionit ndërkombëtar kundër militantëve radikalë.

Qëllimi i ndërhyrjes, sipas numrit dy të diplomacisë iranaine, ishte mbrojtja e interesave të miqve në Irak.

“Me amerikanët nuk kemi pasur asnjë lloj bashkëpunimi. Të vetmit me të cilët kemi kontaktuar ishin zyrtarët irakenë. Në përgjithësi, çdo operacion ushtarak në ndihmë të ekzekutivit në Bagdad bëhet me kërkesë të atij vetë”, deklaroi Rahimpour.

Deklarata e tij përbën të parën herë që një zyrtar i Republikës Islamike konfirmon rolin e Iranit në bombardimet ajrore në Dijala nga fundi i nëntorit. Vetëm tre ditë më parë, zëra në Teheran e mohuan ndërmarrjen e një mësymjeje të tillë.

Dijala është një provincë etnikisht e përzierë, ku muajin e kaluar ushtria irakene, e mbeshtetur nga Peshmergatët kurdë dhe milicia shiite, arritën t’i zmbrapsin luftëtarët e Shtetit Islamik nga disa fshatra e qyteza të zonës.

Në Irak po zhvillohen kështu paralelisht dy fushata ushtarake kundër ISIS: një e drejtuar nga Irani dhe një nga Amerika me aleatët e saj. Të dyja palët i japin dukshëm rëndësi të madhe konstatimit se mes tyre nuk ka asnjë bashkëpunim, apo marrëveshje. Por mund të supozohet se prapa kuintave është Bagdadi zyrtar ai që ndërmjetëson mes palëve.

Përparimi i ISIS rrezikon ndikimin iranian në Irak. Veç kësaj, milicia xhihadiste sunite kërcënon me shkatërrimin e vendeve të shenjta të shiitëve, e për regjimin e ajatollahëve ky është një vizion i tmerrshëm, ndaj dhe reagimi i tij ka qenë i shpejtë.

Top Channel