Opozitë-qeveri, akuza për naftën dhe energjinë

06/12/2014 00:00

Beteja për çmimin e naftës është zhvendosur në selitë partiake dhe argumentet që opozita dhe mazhoranca japin për këtë çështje nuk kanë asnjë ngjashmëri.

“Interesat financiare të dyshes Rama-Meta sundojnë tregun, arsye pse nafta në botë është 40 për qind më e lirë, ndërsa Shqipëri vazhdon të jetë njësoj e shtrenjtë. Tregtarët e lidhur me dyshen Rama-Meta e blejnë naftën 40 për qind më lirë në tregun botëror dhe e shesin 40 për qind më shtrenjtë për shqiptarët”, deklaroi këshilltari për financat pranë PD, Dorian Teliti.

“Të na tregojë zoti Basha një vend të vetëm në Evropë që ka ulje me 40 për qind të çmimit të naftës. Në Itali, Francë e Maqedoni çmimi i naftës është ulur me 4-5 për qind, ekzaktësisht sa ç’është ulur edhe në Shqipëri”, reagoi deputetja e PS, Blerina Gjylameti.

Qëndrimet e socialistëve dhe demokratëve janë po kaq të ndryshme sesi zgjidhet çështja.

“Afera e pistë me naftën është tipari i kësaj qeverisjeje, fytyra e oligarkisë Rama-Meta. Kjo është mëpërkëmbje e shqiptarëve, ndaj ata do të jenë në protestë deri sa të ketë drejtësi, punë dhe dinjitet për çdo qytetar”, vijoi Teliti.

“I kërkojmë opozitës që të mos gënjejë kaq hapur dhe të mos harrojë se përgjegjëse për krizën ekonomike në të cilën gjendet vendi është pikërisht ajo, për ato që bëri në 8 vjet qeverisje”, vijoi në reagimin e saj Gjylameti.

Por për kryeministrin Rama protesta nuk është zgjidhje. Të dhënat që kreu i qeverisë postoi në Facebook tregojnë se çmimi i naftës ka patur të njëjtin ritëm rënieje si në Shqipëri, ashtu edhe në disa vende të rajonit dhe Bashkimit Europian, nga 4 deri në 7 për qind.

Ndërkohë, akuzat mes palëve kanë vijuar edhe sa i takon çmimit të energjisë elektrike.

“Edi Rama pranoi zyrtarisht, me zë e figurë, se do rrisë çmimin e energjisë. Kjo rritje sipas tij do të jetë rreth 4.6 lekë për kilovat për orë, rreth 22 për qind më shumë. Ky çmim do prekë 75 për qind të popullsisë, pjesën më të varfër e të pamundur. Kjo është një padrejtësi e papranueshme që u bëhet shqiptarëve. Protesta popullore do ta ndalë të keqen”, deklaroi Zana Guxholli nga PD.

“Sot zonja Guxholli, ajo që këshillonte Berishën si ta zhyste sistemin energjitik në borxhe, pretendon rritjen e çmimit me 22 për qind. Qeveria e tha dje se kërkon as më shumë e as më pak vetëm mesatarizimin e çmimit të energjisë”, tha nga ana tjetër deputetja Gjylameti. 

Top Channel